Fier, rekord divorcesh gjatë vitit 2008, gjykata ndau 331 çifte
/>Viti që sapo u mbyll ka shënuar edhe shifrën rekord të divorceve të ndodhura në rrethin Fier. Sipas statistikave të marra nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier për vitin 2008 janë regjistruar në këtë institucion 398 çështje civile për zgjidhje martese, të cilat në mbi 60% kanë përfunduar në ndarjen e çifteve dhe vetëm 67 janë pushuar duke ribashkuar familjet.
Duke krahasuar shifrat e divorceve në 2008 me një vit më parë, treguesi shënon një rritje të këtij fenomeni me 13%. Sërish duke iu referuar të dhënave të Gjykatës së Fierit, çështjet e divorceve që kanë çuar në ndarje të bashkëshortëve kanë qenë të natyrave të ndryshme, por më tepër spikat problematika e gjendjes ekonomike, si dhe largësia e partnerëve për shkak të emigracionit. Pjesa më madhe e këtyre familjeve, ose 60% e tyre i kanë pasur kryefamiljarët, kryesisht burrat, në emigracion. Sipas treguesve që shënojnë edhe ndodhjen e këtij fenomeni, është mëse evidente që një pjesë e madhe e familjeve fierake po shkojnë drejt shkatërrimit dhe shpërbërjes, çka dëshmon jo vetëm për krizën e individit, por edhe atë sociale. E ndërsa shifrat flasin vetë, pjesa më e madhe e të divorcuarve janë nga zonat rurale, ku fenomeni i braktisjes së njërit bashkëshort është më i dukshëm. Mosha e re e çifteve të sapomartuara, që më pas ka shkuar drejt divorcit, është bërë një tjetër shkak kryesor, i cili sa vjen e shtohet në qytetin e Fierit. Ata që e ndjejnë më shumë këtë fenomen prekës dhe tepër social janë fëmijët e çifteve të ndarë, të cilët janë të detyruar të jetojnë me njërin prind, duke mos ndjerë ngrohtësinë familjare dhe kujdesin prindëror.