Berat, krerët e pushtetit vendor ankohen në prefekturë për procesin e kartave
Krerët e pushtetit vendor të Beratit kanë paraqitur në prefekturë ecurinë e procesit të punës në aplikimin e kartave të identitetit. Prefekti i Beratit, Thoma Rumnici ka bërë të ditur se tashmë shpërndarja ka filluar në 5 bashkitë e Beratit, Urës-Vajgurore, Kuçovë, Poliçan dhe Çorovodë ku kanë mbërritur 8700 kartat nga të cilat në duar të qytetarëve janë tërhequr vetëm 3550 gjithsej. Në lidhje me procesin e aplikimit, Rumnici bëri të ditur se në 15 njësitë ku ka 27 zyra aplikimi puna po vazhdon normalisht.
Ndërsa nga kryetarët e bashkive dhe komunave të rrethit Berat është bërë e ditur se procesi është shumë i vështirë për të ecur normalisht. Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Beratit, Stavri Ceca, linja e internetit është shumë e dobët gjë e cila ka penguar në shpejtim të procesit në 4 rajonet e Bashkisë së Beratit. Si pasojë e defekteve të njëpasnjëshme ka pasur dhe ndërprerje dy ditore në rajonin 2, 3 dhe 4 të aplikuesve. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Urës- vajgurore, Syrja Ormënaj ka kërkuar një operator tjetër për qendrën ku aplikohet. Sipas tij, në këtë qendër punon veç një punonjës që merr përsipër dhe procesin e aplikimit por dhe atë të shpërndarjes, gjë e cila ka ngadalësuar shumë ecurinë normale të procesit, duke krijuar dhe radhë të gjata. Ndërsa kryetari i komunës së Roshnikut, Adriatik Seriani ka kërkuar fillim urgjent të procesit të aplikimit në zonën e tij, pasi janë më shumë se 1800 persona pa pasaporta që duhet të aplikojnë brenda muajit prill. Po në këtë takim, kryetari i komunës së Poshnjës, Meleq Lila ka ngritur si problem energjinë elektrike që ka luhatje të herëpashershme. Sipas tij, nevojitet një stabilizator për të mos krijuar probleme që të rrezikojnë djegien e aparaturave kompjuterike në qendrën ku aplikohet. Ndërsa të gjithë kanë nxjerrë veç probleme në procesin e palikimit për karat e identitetit, kryetari i komunës Otllak, Lefter Maliqi ka pohuar se procesi i aplikimit për banorët e kësaj komune me 10.700 votues po vazhdon normalisht ku aktualisht po kryejnë aplikim sipas urdhëresës 3.500 banorët pa pasaportë të kësaj zone. Megjithë problemet e evidentuara, numri aplikimeve në qarkun e Beratit ka arritur në 25 mijë, por krahasuar me numrin e votuesve që është 168 mijë, procesi duket i pamundur të mbarojë në afatet e caktuara ligjore, kanë bërë të ditur përfaqësues të pushtetit vendor.