Aulona International Folk Festival, manifestim i folkut evropian
Aulona International Folk Festival, titullohet aktiviteti, i cili do të startojë në datën 8 maj, një ditë që përkon me çeljen e sezonit turistik të qytetit të Vlorës. Ky aktivitet do të zhvillohet për katër ditë me radhë dhe do të ketë pjesëmarrës 12 grupe folklorike nga 12 vende të Evropës, si Maqedonia, Greqia, Italia, Turqia, Kroacia, Shqipëria etj.
Festivali organizohet nga Qendra Kulturore Bilbilat e Jugut me mbështetjen e Bashkisë së Vlorës dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Aktiviteti me dimensione ndërkombëtare organizohet për herë të parë në qytetin e Vlorës dhe do të shndërrohet në një manifestim të folkut evropian. Udhëheqësi artistik i këtij festivali Vaso Tole, thekson për këtë aktivitet se ai do të jetë aktiviteti i parë folklorik në Shqipëri, profili i të cilit do t'i shërbejë drejtpërdrejtë turizmit kulturor. Duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike) organizatorët synojnë ta shndërrojnë këtë festival në një traditë me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional. Festivali që do të nisë në datën 8 maj do të zhvillohet në sallën e teatrit Petro Marko, dhe ai do të ketë natyrë konkurruese. Nata e tretë e tij do të shfaqet për publikun e gjerë, në sheshin përpara stadiumit të futbollit Flamurtari.