E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mjedisit fajëson bashkitë për ajrin e ndotur dhe mbetjet urbane

Zv/ministri i Mjedisit, taulant Bino kërkon bashkëpunimin e autoriteteve bashkiake
Gjendja katastrofike në të cilën ndodhet ajri dhe mbetjet urbane në vend, duket se më shumë se asgjë ka si shkak pasimin e përgjegjësive nga njëra tek tjetra mes Ministrisë së Mjedisit dhe pushtetit vendor. Zv/ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, ka pohuar se përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe menaxhimi i mbetjeve urbane janë dy elementë për të cilat Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave kërkon më tepër bashkëpunim dhe mbështetje nga pushteti vendor. "Ajri dhe mbetjet urbane janë një përgjegjësi e ndarë midis pushtetit qendror dhe atij lokal", u shpreh zv/ministri Bino, sipas të cilit përgjegjësinë më të madhe ligjore për këtë fenomen e mban pushteti vendor, i cili duhet të jetë më aktiv dhe i rreptë, nëpërmjet planifikimit urban dhe ndërtimit të një sistemi efikas të grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane. Politika për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe të administrimit të mbetjeve urbane kryesisht i harton MMPAU, ndërkaq ajo kryen edhe monitorimin e këtyre elementëve mjedisorë dhe raporton në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen e tyre.
Problemet në mjedis
Sipas Binos, si problem kryesor, i përditshëm dhe më shqetësues, mbetet ai i menaxhimit të përditshëm të qytetit nga autoritetet bashkiake dhe keqplanifikimi urban i qytetit, detyrë kjo që sipas tij është tërësisht e autoriteteve bashkiake. "Në këto qendra, e sidomos në Tiranë, cilësia e ajrit nuk është më një problem i varur nga mosha mesatare e "flotës" së automjeteve, apo cilësia e karburanteve. Mosha e automjeteve është rinovuar ndjeshëm dhe po rinovohet çdo ditë e më tepër. Cilësia e karburanteve është rritur dhe vjen në rritje bazuar në aktet nënligjore të aprovuara nga qeveria dhe nga kontrollet gjithnjë e më të plota të inspektorateve qeveritare", theksoi zv/ ministri Bino, i cili vuri në dukje se keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi krijon probleme të rënda në trafikun urban, në infrastrukturën e papërfunduar në shumë pjesë të qytetit, në punimet e tejzgjatura që shkarkojnë vazhdimisht pluhur, në zvogëlimin e vazhdueshëm të hapësirave të gjelbra dhe pasqyrave ujore, ashtu edhe në shëndetin e njerëzve. Ndërkohë, Bino tha se këtu ka dhe shumë shkaqe të tjera më të detajuara, të cilat nuk varen nga pushteti vendor, por përgjithësisht varen nga menaxhimi lokal. Duke u ndalur tek menaxhimi i mbetjeve urbane, Bino deklaroi se kjo është detyrë tërësisht e pushtetit vendor, të cilën nuk e ushtron në mënyrën e duhur, ose e ushtron me standarde të ndryshme. Sipas tij, ka qytete të mëdha në Shqipëri ku mbeturinat vazhdojnë të mos mblidhen, apo ku ato digjen në mënyrë primitive, duke u kthyer kështu në vatra të ndotjes së ajrit, tokës dhe sidomos ujërave nëntokësore. Problem mbetet dhe fakti se shumicës së qyteteve u mungojnë planet për trajtimin modern të mbetjeve urbane. "Qeveria qendrore ka vendosur në linjë të parë përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve urbane në Shqipëri, të konkretizuar në ndërtimin e disa pikave rajonale të trajtimit të mbetjeve urbane të ngurta", tha ai duke përmendur projektet për ndërtimin e land-filleve në Shkodër, Korçë, etj. Për realizimin e këtyre projekteve, përpjekje serioze kanë vazhduar dhe po vazhdojnë dhe në pika të tjera, veçanërisht  në zonën bregdetare të vendit.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›