E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon Show Politika e Re 2009. Ulëritësit-Militantë zëvendësohen nga Kori Play-Back i stërvitur në sallë

Nga Besi BEKTESHI
Nga Politika e Vjetër e mitingjeve dhe takimeve elektorale mbajmë mënd dy gjëra thelbësore. Militantët revolucionarë që bërtisnin dhe që shumica e tyre mbas ardhjes në pushtet, kërkonin punë. Kurse e dyta dhe më modernia për pikërisht politikën e vjetër ishin pagesat për turmat e fëmijëve apo edhe të rinjve që merrnin një kuotë ditore në lekë, merreshin me autobusë dhe furgona dhe transportoheshin kur vinte lideri. Më tepër se kaq nuk kishte dhe ndoshta parulla të largojmë politikën e vjetër këtë ka parasysh. Te po kjo lloj politike ishin dhe janë akoma, edhe koncertet miting me këngëtarë të dëgjuar dhe të paguar dhe ky është momenti më modern i kësaj politike e deklaruar e vjetër nga lideri i sotëm i PS-së Edi Rama. Por çfarë ndryshimi ka Politika e Re e tij nga Politika e Vjetër bie fjala e Berishës dhe dikur Nanos. Takimet e rëndësishme të Ramës sot kanë më teknologji, më shumë virtualitet, më të rinj të organizuar dhe më tepër animator që kanë zëvendësuar militantët e Politikës së Vjetër. Në qoftë se dikur dhe sot te Berisha, ka militantë që vazhdojnë të thërrasin dhe patjetër tre çereku janë edhe me pasion. Në mitingun e Shkodrës te Rama, ishin katër animatorë të skenës dhe disa syresh në sallë që përcaktonin se kur duhej brohoritur  dhe se çfarë duhej brohoritur. Bie fjala, thirrjet Ndryshim, Ndryshim dhe Vullnetarët jo vetëm që bëheshin me urdhër, por edhe janë provuar përpara se lideri Rama, të fillonte fjalimin. Po, janë bërë prova dhe të shumta në organizim të mitingut të politikës së re. Pastaj në miting ka edhe dy promtera ku lexohen fjalët-slogan dhe fjalitë e duhura. Nga ana organizative-teknologjike politika  re është padyshushmërisht më e avancuar se sa politika e vjetër. Por as që bëhet fjalë, se është shumë më pak bio se mitingu i pasionit te politika e vjetër sipas Ramës. Salla është e animuar në kulm dhe histeria e saj e re, ka një ndryshim prej asaj të vjetrës në konceptin se ulërima pasionante e militantit ka në korin e të bërtiturave, stonaturë, kurse ulërimat e korit të mësuar dhe trajnuar të politikës së re kanë një diçka të përbashkët me rregullin e brohoritjeve për Enverin dhe Partinë. Po ti shtosh edhe magafonët me makina në rrugë, të importuarit nga Tirana e vende të tjera në sallë, posterizimin e gjallë, atëherë mund të thuhet se me të vërtetë konceptet e politikës së re janë një Show gjigand, por tepër virtual që demonstron kryesisht në televizion dhe sallën ku do të bëhet një ndryshim. Po ka ndryshim, nga laramanllëku i viteve '90 e deri tani, por ka afrim të madh me vitet përpara 90-të dhe kjo është e qartë. Ashtu si dikur, pa dalë në demokraci, ku lulet, banderolat, parullat e hedhura, disiplina në histeri partishmërie të bërtiturash dhe për më tepër fjalitë e përsëritura (sllogans) shumë herë njësoj, është edhe politika e re, duke shtuar elektronikën e cila arrin të demonstrojë një Show e madh të saj në Shqipëri.
Megjithatë edhe pse është një shfaqe entuziazmi me një lloj skenari dhe regjie të imponuar, ajo duket më e paraqitshme e trukuar me lifting, por.... Por është virtuale. Krejtësisht e tillë, dhe ka kaluar në shembullin më të keq të së dikurshmes. Ulërima e revolucionarit-militant por shpesh herë e sinqertë, është zëvendësuar me aktorin-revolucioner krejtësisht të pasinqertë dhe inkoshient se çfarë po bën. A do të ngjisë në termat elektoralë kjo politikë e re propaganduese dhe magjepse turmash? Mbase, por duhet të vijmë te koncertet për të marrë vesh se çfarë ndodh. Sot bastardimi më i madh muzikor, bëhet nga këngët, këngëtarët dhe shfaqet që në saj të gabimeve të pakta që bëjnë, kur nuk bëjnë asgjë live, fshehin formën dhe përmbajtjen e aftësisë së tyre.
Nuk janë ato, dhe nuk është pikërisht ajo forma dhe përmbajtja, sepse këndojnë dhe orkestrojnë me ndihmën e elektronikës dhe jo Live në çdo gjë. Ato koncerte nuk të lënë të kuptosh, në se këngëtari apo kënga dhe orkestra, janë në formë, kanë aftësi dhe gabojnë apo janë virtuozë. Përndryshe duhet thënë se janë virtuale dhe jo të vërteta aty për aty. Si mitingjet në kohën e Enverit dhe Ramizit, sidomos nga fundi. Ndoshta janë më primitive dhe duken edhe gabimet, por kur mitingu është live ato që janë mbas radhëve të para të ulëritësve, kanë mundësi të përcaktojnë edhe gabimin dhe fajin, por edhe sinqeritetin dhe aftësinë e liderit dhe të stafit të tij në origjinalitet. Kurse Politika e Re mbase shkon deri aty sa të vendosë një disk dhe Show është i garantuar me Play Back. Show po.... kurse fitorja ?!!!!

Last Updated on Saturday, 14 February 2009 13:57

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›