E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, miratohet me votat e të majtëve buxheti 2012

03/02/2012  Koalicioni i djathtë përfshi LSI-në e kundërshtuan: Nuk sjell asnjë të mirë për qytetin

BERAT - Me 18 vota pro, të këshilltarëve të partive të majta është miratuar dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak projekt-buxheti për vitin 2012 i Bashkisë së Beratit. Mbledhja e radhës e këtij këshilli, është zhvilluar gjatë paradites së djeshme në ambientet e bibliotekës së këtij qyteti, mbledhje e cila ka zgjatur disa orë. Me propozim të këshilltarit të PD-së, Dritan Haznedari, u vendos që pika më e rëndësishme e kësaj mbledhje siç është miratimi i projekt-buxhetit për vitin 2012 të kalonte për diskutim dhe miratim si pikë e fundit e kësaj mbledhje për vetë rëndësinë e saj për qytetin. Nga ana e tyre këshilltarët ishin njohur më parë me projekt-buxhetin për vitin 2012 me anë të një materiali të përgatitur nga vetë kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, dhe stafi i tij. Po kështu për diskutimin e këtij projekt-buxheti komisionet përkatëse ishin mbledhur disa herë për t’u njohur me plan buxhetin për vitin 2012.

Projekt-buxheti

Në nisje të kësaj mbledhje këshilltarët nga ana e tyre kanë hartuar një sërë pyetjesh në lidhje me shpërndarjen e këtij projekt buxheti. Një sërë pyetjesh janë bërë nga ana e këshilltarëve kryesisht atyre të grupit të këshilltarëve të djathtë, si dhe grupit të këshilltarëve të LSI-së, në lidhje me arsyet e mosrealizimeve të projekt-buxhetit të vitit të kaluar dhe shpërndarjen e investimeve për vitin 2012. Nga ana e tyre këshilltarët kanë kërkuar më tepër informacion për investimet në infrastrukturë, kulturë, sport, ruajtjen e monumenteve të kulturës, pastrimin e qytetit, etj. Janë dashur më tepër se 1 orë e gjysmë që vetë kryetari i bashkisë dhe stafi i tij të përgatitej për dhënien e përgjigjeve mbi shpërndarjen e biznesit, klimën që do të mbizotërojë mes biznesit dhe bashkisë, taksat, jetën kulturore atë sportive, etj. Më pas mbledhja ka vijuar me diskutimet e këshilltarëve në lidhje me miratimin e projekt-buxheti. Kanë qenë këshilltarët, të cilët më pas në vijim të mbledhjes kanë diskutuar mbi miratimin apo jo të këtij projekt buxheti. Nga ana e tyre këshilltarët e djathtë janë shprehur kundër miratimit të këtij projekt-buxheti. Sipas tyre, projekt-buxheti me një grant prej 41 518 milionë lekësh nuk përfshin interesat e qytetarëve të Beratit, nuk sjell asnjë risi në jetën e tyre, pasi nuk do të ketë më shumë të punësuar, nuk do të ketë më shumë investime në infrastrukturë, numri i bizneseve do të ngelet i njëjtë. Në këto kushte ku projekt-buxheti sipas këshilltarëve nuk përfshin interesat e qytetarëve të tij nuk mund të miratohej. Mbledhja e Këshillit Bashkiak më pas ka vijuar me procedurën e votimit, procedurë nga e cila u miratua projekt-buxheti, me 12 votat e këshilltarëve të PS-s, 5 votat e partive aleate të majta dhe një votë të LZHK-s, kundrejt tetë votave kundër të këshilltarëve të partive të djatha, përfshi dhe këshilltarët e LSI-së.

Vota kundër

Grupi i këshilltarëve të PD-së kërkoi mosvotimin e këtij buxheti për arsye se veç problemeve madhore që ka vetë ndërtimi strukturës së buxhetit, brenda tij ka konflikt interesi të vetë këshilltarëve të majtë, kryetari i PD-së të këtij qytetit Arenc Berati njëkohësisht edhe këshilltar i këtij këshilli në diskutimin analitik që i bëri buxhetit tha se janë tre drejtorë të drejtorive vartëse nga bashkia, të cilit nuk duhet të votojnë. Sipas tij, Valbona Zylyftari konkretisht kryetare e këtij këshilli dhe njëkohësisht drejtore e bibliotekës, Stavri Ceca Drejtor i Rrugë Trotuareve, si dhe Arben Baxhia, drejtor i Pallatit të Kulturës. Të tre personat në fjalë nuk duhet të votojnë, edhe pse juristja e bashkisë ka sqaruar se në bazë të nenit 30 të pushtetit vendor, nuk ka konflikt interesi sërish këshilltarët kanë ngritur zërin dhe situata është tensionuar edhe pse ka dashur ta qetësojë vetë kryetari i bashkisë, duke thënë se dhe qeveria nuk duhet të votojë buxhetin, pasi ministrat kanë konflikt interesi, pra ky është një parlament i vogël. Më konçiz në ngritjen e problematikave, arsyet pse nuk duhet votuar buxheti, konfliktin e interesave, si dhe mendime të marra nga specialistët përkatës dhe referuar në diskutimin e buxhetit ka qënë grupi i këshilltarve të LSI-së. Në diskutimin e tij kreu i këtij grupi Artur Çepani tha se në tërësinë e tij struktura e buxhetit bie poshtë për arsye se në të nuk janë parashikuar në detaj shumë lloj shpenzimesh, ashtu si nuk ka një pasqyrim të drejtë dhe të mirëfilltë për problemin e mbledhjes së taksave, pasi në to ende ka rezerva. Po kështu dhe në tarifat vendor të familjeve, taksat në familje, ndërtimet dhe lejet e tyre e disa probleme të tjera që vetë këshilltarët ngritën gjatë këtij diskutimi. Qëndrimi konstruktivë i grupit të këshilltarëve të LSI-së bëri që këshilli të dëgjonte dhe mendimet për zgjidhjen e shumë problemeve. Më konkretisht këshilltarët e LSI-së ngritën problemin e investimeve në zonat që vazhdojnë të jenë ende informale, kështu këshilltarët e LSI-së dhanë mendimin për kalimin e një fondi prej 60 milionë lekësh për investim në një lagje në hyrje të Beratit, pasi është tërësisht informale. Për fondet e ndërtimit apo asfaltimit të rrugëve që të kenë efektivitet në fillim duhet sistemimi i trotuareve. Me qëllim që t’u vijë në ndihmë qytetarëve ku do të ndërtohet rruga për zgjidhjen e trafikut në këtë segmentin rrugor nga Agjencia e vjetër tek Merkatoja. Ndërsa duhen parë taksat çka thash më lartë taksat e bashkisë, tarifat vendore të familjeve, taksat e familjeve, mbledhja e të ardhurave, ndërtimet dhe lejet e tyre. Së fundmi grupi i këshilltarëve të LSI-së ka pohuar se edhe nëse buxhetin e votojnë votat e të majtave dhe aleatët e tyre veç kundërshtisë kishin mendimin se ky buxhet duhet parë me imtësi dhe duhet anuluar nga institucioni i prefektit. Po në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak është diskutuar dje mbi “dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 dhjetor 2011” etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›