E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, mungojnë ambientet për procesin e kartave të identitetit

>Procesi për pajisjen e shtetasve me karta identiteti ka vënë në lëvizje drejtuesit lokalë në Qarkun e Beratit për gjetjen e ambienteve të përshtatshme. Ndonëse drejtuesve lokalë u ishin lënë prej muajsh detyra për marrjen e masave në lidhje me gjetjen dhe përshtatjen e zyrave për nisjen e procedurave, jo të gjitha njësitë vendore janë gati për nisjen e punës. Vetëm në qytetin e Beratit bashkia ka përcaktuar tre ambiente që do të përshtaten për zyra, por ato ende nuk janë gati. Në një prononcim të median, vetë prefekti i qarkut, Thoma Rumniçi u shpreh se aktualisht jemi në hapat e parë të këtij procesi. Sipas tij, drejtuesit vendorë kanë marrë udhëzimet e para në një takim të bërë dje në këtë prefekturë për ecurinë e këtij procesi. Tashmë sipas Rumniçit janë përcaktuar zyrat në të gjithë njësitë e vendore të kësaj prefekture. Janë 22 zyra të tilla, në të cilat do të nisë puna për tërheqjen e bazës materiale nga firma franceze SAGEN, ku më pas do të nisë dhe procesi. Por ndonëse drejtuesit vendorë ishin njoftuar në kohë për masat që duhet të merrnin për gjetjen e ambienteve dhe përshtatjen e tyre në zyra, jo të gjitha njësitë kanë bërë punën e tyre. Kështu, në qytetin e Beratit nga tre zyra që duhet të kishin tashmë gati, vetëm dy prej tyre kanë përfunduar dhe presin bazën materiale. Në një nga zyrat që ndodhet në lagjen "Çlirim" ende po punohet ndonëse afatet kanë kaluar dhe pritet mbërritja e bazës materiale. Probleme ka pasur dhe në njësitë vendore të fshatrave të kësaj prefekture, fshatra të cilat ndodhen larg komunave. Por në lidhje me këtë problem, sipas kreut të prefekturës, Rumniçi, është menduar që fshatrat që kanë një numër të vogël banorësh të bashkohen në njësi me disa fshatra. Stafi i punonjësve që do të shërbejë pranë zyrave të pajisjes së qytetarëve me karta tashmë është përzgjedhur dhe është duke u trajnuar në Tiranë. Në përbërje të stafit do të jenë punonjës të gjendjes civile dhe punonjësit e specializuar për këtë proces. Për të shmangur radhët e gjata në nisje të këtij procesi, sipas prefektit Rumniçi, puna do të nisë me aplikime në grup. Procesit i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit ka nisur prej pak ditësh në Tiranë, ndërsa në rrethet e tjera të vendit po punohet ende për gjetjen dhe përshtatjen e zyrave ku do të zhvillohet ky proces. Madje në disa rrethe, bashkitë dhe gjendjet civile ende nuk janë njoftuar as për marrjen e masave të tilla. Edhe pse qytetarët që nuk do të pajisen me këto karta, do të kenë sanksione, nisja e një procesi të tillë në rrethe duket se do të ketë mjaft probleme.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›