E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, nën hetim shefi i Pyjores, shpërdoroi detyrën

Shpërdoron detyrën, vendoset nën hetim drejtori i shërbimit pyjor të Beratit, Sabri Zyka. Sipas prokurorisë së rrethit të Beratit, drejtorit të shërbimit pyjor, Zyka nuk ka raportuar rastet e prerjes së paligjshme të pyjeve. 

BERAT- Prokuroria e Beratit ka nisur procedimin penal ndaj drejtorit të shërbimit pyjor në këtë qytet, Sabri Zyka, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas prokurorisë së këtij rrethi, hetimi ka nisur pas sinjalizimeve nga qytetarë të ndryshëm për prerje të paligjshme të pyjeve, dhe moskallëzim nga ana e shërbimit pyjor. Prokurori i rrethit të Beratit, Xhemal Salia thotë se Zyka akuzohet për mosreferim në prokurori të shkeljeve të rënda të bëra në sektorin që ai drejton, duke bërë që ti shkaktohet një dëm i konsiderueshëm shtetit dhe fondit pyjor të këtij rrethi.
Sipas hetimeve, edhe pse inspektorët e shërbimit pyjor kanë paraqitur në drejtori procesverbalet përkatëse për persona të ndryshëm të cilët kanë prerë parcela të tëra me drurë të ndryshëm, nga ana e drejtorit ato nuk i janë referuar prokurorisë, por madje dhe janë zhdukur, cka ka bërë që organi i akuzës të marrë si të pandehur kreun e kësaj ndërmarrje me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›