E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektori i UV: Në auditore nuk do ulet njeri me dhunë

Rektori i Universitetit të Vlorës u ka bërë thirrje studentëve me mesatare nën 6 të cilët pretendojnë se kanë fituar të drejtën për të filluar studimet në këtë Universitet, të distancohen nga aktet e dhunës. 

VLORE- Zhvillimet e fundit në Universitetin e Vlorës, shoqëruar me protesta të studentëve, që kundërshtonin vendimin e drejtuesve të këtij institucioni arsimor që refuzuan regjistrimin e studenteve nën mesataren 6, ka ngjallur reagimin e rektorit Tanush Shaska.
Në një letër të publikuar në websitin e Universitetit, Rektori u kërkon të gjithë prindërve dhe studentëve që pretendojnë të bëhen pjesë e Universitetit, të qëndrojnë larg veprimeve të dhunës, kërcënimeve të personelit, huliganizmit dhe dhunimit të një institucioni të dijes dhe shkencës.
“Dituria nuk fitohet me dhunë, dhe në bangat e UV-së nuk duhet dhe nuk do të futet njeri me dhunë. Unë i këshilloj të gjithë ata të rrijnë larg dyerve të Universitetit, pasi në asnjë mënyrë nuk do të futen në auditoret e këtij institucioni me dhunë” citohet në letër.
Rektori , kërkon më tej nga MASH-i dhe vecanërisht nga Drejtoresha e Arsimit të Lartë, Elida Hoxha të distancohen nga nxitja e dhunës për shkatërrimin e Universitetit të Vlorës. Rektori kërkon që policia e Vlorës të jetë më e pranishme dhe më pranë Universitetit, ndërsa i bën thirrje Bashkisë së Vlorës të ndihmojë me policinë bashkiake, me njerëz dhe me ndihmë institucionale.
Një tjetër thirrje u është drejtuar deputetëve të Vlorës, për të mbrojtur interesat e Universitetit, duke u shprehur hapur dhe publikisht në mbështetje të autonomisë akademike të tij. Rektori Shaska paralajmeron se në rast se situata do të përkeqësohet, do të urdhërojë pezullimin e cdo aktiviteti në UV dhe mbylljen e Universitetit deri në sigurimin e normalitetit dhe qetësisë nga qeveria.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›