E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, PS: Berisha do të fshehë të vërtetën

Partia Socialiste ka bërë edhe një herë të ditur se nuk e ndryshon qendrimin e saj për sa i përket hapjes së kutive të votimit. Në një deklaratë Damian Gjiknuri kërkon të hidhet dritë mbi masakrën zgjedhore sic e quajnë tashmë socialistët. 

TIRANË-PS deklaroi sot se mazhoranca me refuzimin e hapjes së kutive të votimit po bën përpjekje tinzare për të fshehur të vërtetën e 28 qershorit. Deputeti Damian Gjiknuri rikonfirmoi se bojkoti në kuvend do vijojë për të hedhur dritë mbi masakrën zgjedhore, e cila synon të zbardhet nga komisioni i posacëm. “Partia Socialiste nuk po kërkon rinumërim apo rishikim të vendimeve administrative apo gjyqësore për rezultatin e zgjedhjeve. Këto vendime kanë marrë formë të prerë, dhe komisioni hetimor nuk është rruga ligjore për t’i shfuqizuar. Objekt i ankimit në Kolegjin Zgjedhor ka qënë shpallja e pavlefshme e vendimeve të KQZ, pasi nuk ishte marrë në konsideratë dispozita imperative për të drejtën e dy anëtarëve për të kërkuar rinumërim, dhe jo që gjykata të kryente rinumërimin fillestar sic pretendohet nga maxhoranca.”- shprehet Gjiknuri. Sipas tij, Komisioni nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo cka kërkohet është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, duke e veshur këtë me argumentat që ka dhënë edhe Gjykata Kushtetuese: “Qëllimi i ngritjes se komisioneve hetimore është për te njohur dhe verifikuar ne thellësi një fenomen, një ngjarje, një veprimtari, me synimin qe ne përputhje me realitetin, te nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit ose korrigjimit te ligjeve te veçanta...apo të kontrollohet zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e qeverisjes dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qellim parandalimin dhe eliminimin e fenomeneve negative, si dhe përmirësimin e gjendjes ne te ardhmen”.  Ajo që Partia Socialiste kërkon është hetimi i të gjitha materialeve zgjedhore që janë në kuti, si lista zgjedhësish, procesverbale apo edhe fletët e votimit, të cilat janë dokumeta zyrtare dhe që nuk mbrohen me me ndonje ligj si sekret shtetëror. Si rrjedhim nuk ka asnjë rethanë ligjore që të pengojë marrjen e cdo informacioni që do të kërkojë kuvendi qoftë ky i mbyllur edhe në kutitë e votimit. (m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›