E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni hetimor Rama 2, Bashkia refuzon dhënien e informacionit, Rama nuk paraqitet

Bashkia e Tiranës vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen e saj në Komisionin hetimor të ngritur nga maxhoranca për lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës pas vitit 2007. Kryetari i këtij komisioni Ferdinand Xhaferri, deklaroi se në përgjigje të ftesës për pjesëmarrje në seancë dëgjimore, kryebashkiaku Rama është kundërpërgjigjur se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për antikushtetueshmërinë e këtij komisioni. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama sërish ka refuzuar dhënien e informacionit, për komisionin hetimor, që mesa duket, vetë Rama ka frikë nga e vërteta dhe fshihet, pas justifikimeve të njëpasnjëshme. Sipas pretendimeve të bashkisë, ky komision është i jashtëligjshëm dhe kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese është bërë pikërisht për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit. Gjithashtu, kryebashkiaku Rama ka refuzuar edhe praninë e tij në zhvillimin e këtij komisioni, duke argumentuar këto mungesa nëpërmjet një shkrese. Ditën e djeshme, komisioni hetimor ka zhvilluar seancën dëgjimore të radhës me përfaqësues të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë, lidhur me respektimin e praktikave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia, ku kjo e fundit nuk iu përgjigj kërkesës. Bashkia nuk kthen përgjigje, sepse i është drejtuar tashmë Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar antikushtetueshmërinë e këtij komisioni dhe shfuqizuar vendimin e Kuvendit, thuhej në shkresë. Ndërsa nga ana tjetër, kryetari i komisionit hetimor Ferdinand Xhaferri gjatë mbledhjes ka theksuar se në adresë të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama është nisur kërkesa, që brenda datës 30 prill 2009, ky institucion të depozitojë pranë Kuvendit praktikat e plota të lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRT-ja, në periudhën 1 janar 2007 e në vazhdim. Por, nga ana e Bashkisë kemi marrë një përgjigje, të firmosur nga kryebashkiaku Rama, veçoi Xhaferri. Duke komentuar këtë përgjigje të kryebashkiakut, deputeti Xhaferri e cilësoi atë një marrëzi ligjore, pasi një individ nuk mund të pengojë vendimin e sovranit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë veprimtarinë e komisionit hetimor. Neni 23 i Kushtetutës thotë se E drejta e informimit është e garantuar dhe kushdo ka të drejtë të marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që i drejtojnë ato. Komisioni hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit u ngrit pas një vendimi të Kuvendit më 23 prill. Ai ka objekt hetimin e mënyrave abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi. Kjo është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›