E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, takim për guroret, prefekti kritikon firmat

Prefekti i Beratit ka kritikuar 17 firmat e nxjerrjes së gurëve dekorativë në malin e Tomorrit. Ai theksoi se punetoret punojnë në të zezë ndërsa kushtet e sigurisë janë jashtë të cdo parametri ligjor dhe urbanistik. 

BERAT- Ka përfituar nga një takim me përfaqësues të firmave për nxjerrjen e gurit dekorativ në malin e Tomorrit që prefekti i qarkut të Beratit, Kostandin Lekta ti kritikojë ashpër për kushtet e punës. Në fjalën e tij, prefekti ka renditur një sërë shkeljesh nga ana e firmave duke e përqëndruar më tepër vëmendjen tek kushtet e sigurisë.

“Ka shumë punëtorë që punojnë në të zezë, nuk zbatohen rregullat e sigurimit teknik gjatë punës me makineri. Ka subjekte që shfrytëzojnë punën e punëtorve të paregjistruar për të nxjerrë pllakë në zonën e mbrojtur. Ndërhyrjet pa kriter në ekosistem kanë ndikuar negativisht në mjedis. Ka mjete transporti me targa fallso dhe drejtohen nga drejtues pa patentën përkatëse. Subjektet e pajisur me leje minerare kanë ngritur kantiere të përpunimit dhe magazinimit të gurit jashtë cdo kondicioni urbanistik dhe ligjor duke ndotur mjedisin“ u shpreh prefekti.

Kritikat nuk janë kursyer as në drejtim të institucioneve për mangësi në kontrolle që , sipas prefektit të qarkut kanë krijuar kushtet për abuzime.
Puna gjatë nxjerres së gurit dekorativ është është shoqëruar edhe me pasoja për punonjësit, kur disa prej tyre kanë pësuar lëndime , dhe në rastin më të keq ka patur edhe viktima.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›