Berberi: Kukësi i bën llogaritë vetëm në fund
Në ndeshjen e radhës me lezhjanët rikthehen organizatori Jevdjeviç dhe sulmuesi Malo, ndërkohë që trajneri vlerëson kundërshtarin
Kukësi nuk mundi ta luante ndeshjen e javës së 27-të me Skraparin, sepse ekipi mik nuk u paraqit. Është e qartë se kuksianët do ti marrin në tavolinë pikët dhe diferenca me Luftëtarin kryesues mbetet e njëjtë. Trajneri Shahin Berberi zhvilloi një ndeshje kontrolli me ekipin, në mënyrë që lojtarët të jenë të karikuar, ndërsa dje kanë nisur përgatitjet për transfertën e Lezhës.
Numri 1 i stolit kuksian, në një prononcim për Sportin shqiptar thekson mes të tjerash se llogaritë do të bëhen vetëm në fund të kampionatit, kurse kundërshtarin e radhës e vlerëson si një ekip shumë solid: Nuk luajtëm me Skraparin të dielën, sepse nuk erdhi kundërshtari, por bëmë një ndeshje kontrolli, që ekipi të jetë i karikuar, sepse gjatë javës kishim punuar shumë.
Kishim dëshirë që ndeshja të luhej, sepse ishim organizuar në të gjitha drejtimet, por nuk ishte në dorën tonë. Po mendojmë për sfidën me Besëlidhjen, që për mua është nga tri ekipet më të mira të kategorisë së parë. Dihet objektivi ynë, por duhet pasur parasysh se luajmë në fushën e një ekipi rival, që ka një mbrojtje të fortë.
Besëlidhja është ekip me traditë, jo vetëm në kategorinë e parë, Jemi pranë superligës, për hir të së vërtetës, por kemi edhe tri ndeshje të vështira dhe llogaritë do ti bëjmë në fund, u shpreh trajneri Berberi.
Jevdjeviç-Malo Dy titullarët Millosh Jevdjeviç dhe Julian Malo kanë shlyer kartonët dhe janë gati për transfertën me Besëlidhjen. Me ta në ekip, trajneri Berberi ndihet më i sigurt: Në ndeshjen e radhës do të kemi gati edhe Jevdjeviçin dhe Malon. Megjithatë, e kam theksuar edhe herë të tjera se Kukësi nuk varet nga individualitet, por nga kolektivi dhe puna që bën.
