E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozit i duhen edhe 4 pikë për play-out-in

Nga Kristi Lilo

Kapiteni Shupe pranon se ekipi i tij e kishte të pamundur ta përballonte Luftëtarin në ndeshjen e fundit

Në kampin kolonjar tashmë janë shuar shpresat për ti shpëtuar play-out-it, sepse ekipet që mund të arriheshin kanë fituar javën e fundit dhe nuk mund të arrihen. Ndërkohë, Gramozi duhet të luftojë fort në tri javët e mbetura për të mos rrezikuar rënien direkte, sepse ka dy transferta shumë të vështira, me Lushnjën këtë javë dhe me Burrelin në fund.

Megjithatë, drejtuesit dhe lojtarët e këtij ekipi shpresojnë që të paktën të arrijnë te ndeshja shtesë, kështu që dje kanë nisur me seriozitet stërvitjen në kuadër të sfidës në Lushnjë. Ky sezon mund të quhet i dështuar dhe shkaku kryesor është largimi i shumë lojtarëve në mes të kampionatit. Kolonjarët jo vetëm nuk arritën në 6-shen e parë, por po rrezikojnë shumë edhe rënien.

Gramozi ka humbur shumë pikë në fushën e tij, pasi ka pësuar 5 humbje, duke bërë që pozitat e tij të përkeqësohen nga java në javë. Kapiteni Shupe, duke folur për ndeshjen me Luftëtarin, pohon se ajo ishte mundësia e fundit për të ndryshuar, por pranon gjithashtu se kundërshtari ishte shumë lart dhe nuk mund të përballohej: Dështuam në një takim tepër i rëndësishëm për ne dhe humbëm shansin për tu ngjitur më lart në klasifikim.

Duhej të kishim  marrë të paktën një pike, që të siguronim play-out-in, sepse rivalët tanë, Vlora dhe Himara, fituan. Duhet ta pranojmë se kemi dështuar plotësisht dhe ndaj Luftëtarit luajtëm ndeshjen më të dobët, sidomos në pjesën e pare, kur u ndëshkuam tri herë. Luftëtari ishte shumë lart dhe tregoi se e meriton vendin e parë, thotë mesfushori Shupe. Më tej ai shton se Gramozi do ta vazhdojmë betejën e tij deri në sekondën e fundit.

Ndihemi të vetëm në këto javë të fundit, ndërsa rivalët, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, po marrin pikë edhe në ndeshje të vështira. Shpresa jonë e fundit mbetet ndeshja shtesë, për të cilën na duhen edhe 4 pikë, që besoj se do ti marrim. Në të kundërt, do të jetë një disfatë, jo vetëm për ne futbollistët, por për gjithë qytetin. Nëse Gramozi bie në kategorinë e dytë, mendoj se do ta lë futbollin, ka përfunduar Shupe.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›