Tifozët, krenaria dhe shpirti i Partizanit
Nga Halil VATA
…Tifozët që e mbajtën të gjallë ëndrrën për të rikthyer legjendën në nivelet e larta të futbollit, janë shpirti që e kanë frymëzuar dhe po e mbështesin në ditët më të vështira të historisë së tij Partizanin.
Partizani, ky emër i madh i futbollit shqiptar, i njohur brenda e jashtë vendit si ekip që ka bërë një histori të pasur, fitues si në kampionat dhe në kupë, madje i vetmi ekip shqiptar që posedon edhe një trofe ndërkombëtar (Kupë Ballkanike), këto vitet e fundit u ka munguar niveleve të larta të kampionateve të luajtura në Shqipëri. Rënia e Partizanit nga superliga në 2008, vijimi në kategorinë e parë për dy vjet dhe rënia në kategorinë e dytë, ku luan aktualisht, përbën dramën e këtij ekipi për të cilën është shkruajtur e folur jo pak. Nuk duam që në këtë shkrim të themi kush ishin shkaqet që e kanë çuar Partizanin në nivelet më të ulta të futbollit të luajtur tek ne, sepse ato tashmë dihen. Sot jemi në kohën kur shpresat për ringritjen e ekipit ekzistojnë dhe janë reale. Stafi dhe lojtarët po bëjnë maksimumin për të qëndruar në krye të grupit B, që të sigurojë ngjitjen në kategorinë e parë pa çka se ana finaciare ka vazhduar tju mungojë edhe pse Ministria e Mbrojtjes i ka në administrim. Tifozët e Partizanit që e mbajtën gjallë ëndrrën për të rikthyer legjendën në nivelet e larta të futbollit, janë shpirti që e kanë frymëzuar dhe po e mbështesin në ditët më të vështira të historisë së tij. Kur të gjithë e braktisën këtë ekip, madje edhe kur atyre ju muarën të gjithë asetet e kushtet që kishte klubi i Partizanit për akomodim dhe stërvitjes, kur u larguan lojtarët e trajnerët për shkaqe të mungesës financiare, vetëm tifozët mendonin për Partizanin. Ata dhe vetëm ata kanë meritën e parë pse ky ekip ka mbijetuar, pa dashur të harrojmë të gjithë lojtarët e brezave të Partizanit ndër vite dhe gazetarët e specialistët që në jo pak herë e kanë quajtur superligën tonë pa Partizanin si gjellë pa kripë. Këta tifozë që e duan Partizanin si gjënë më të shtrenjtë e kanë mbështetur ekipin në të gjitha ndeshjet, si brenda dhe jashtë Tiranës. Ata kanë lënë gjurmët e tyre me sjelljen dinjitoze në fusha e stadiume si në Këlcyrë, Bilisht, Përmet, Tepelenë, Kuçovë, Librazhd dhe po përgatiten ta mbështesin dhe inkurajojnë ekipin drejt fitores edhe në transfertën e radhës këtë të diel në Përrenjas. Kjo tifozëri tashmë e konsoliduar me logo, organizim me djem të rinj, burra të pjekur, madje dhe të moshuar ka krijuar brezat mbi të cilën po rilind jo vetëm ekipin, por po rrit, konsolidon e zhvillon vetveten në misionin e saj për të përkrahur ekipin e zemrës, Partizani, dhe për ta çuar atë në majat e futbollit tonë kombëtar, ashtu siç e ka pasur traditën e tij ky ekip legjendë. Fotot e videot e tyre tani lënë gjurmë jo vetëm në mediat e shkruara e audio-vizive, por edhe në site në internet. Aty ata kanë krijuar faqet e tyre ku japin mendimet, vrejtjet e sugjerimet për lojën e ekipit si dhe bëjnë të gjithë njoftimet për organizimet e ndryshme në aksionet e tyre sportdashëse. Partizani luan në kategori të dytë, por mbështetjen e tifozërinë do tia kishin zili dhe Tirana e Dinamo që luajnë në superiore. Jo më kot dhe në stadiumin Selman Stërmasi, ku luan ndeshjet brenda Partizani, biletat janë me një çmim më të lartë se sa kur aty zhvillohet një ndeshje e superiores. Edhe menaxhuesit e stadiumit e dinë se me Partizanin fitohet, sepse me Partizanin ka tifozëri të rregullt që e duan me shpirt ekipin dhe ata shohin dhe ndjekin vetëm Partizanin. Për ata nuk ka futboll pa Partizanin dhe këtë e demonstrojnë në stadium, kur thonë: Ska Dinamo, as Tiranë po nuk pati PARTIZAN. Tifozëria që duhet respektuar për atë që ka kërkuar, kërkon dhe demonstron në stadiumet e futbollit për atë që ka bërë, bën dhe do të bëjë për Partizanin. E në se deri dje nga kushtet që u krijuan për ekipin e mbështeste ekzistencën e ekipit me parrullat në mure, në rrugë nacionale, në parqe e kudo ku mund të shkruhej, me demonstrime paqësore në rrugë, para gjykatës apo federatës, tani ajo po i demonstron shijet e veta të tifozërisë në stadiume e qytete të ndryshme të vendit. Në Librazhd tifozët vendas kanë ndjekur e parë me kureshtje e habi gjatë gjithë ndeshjes tifozët e Partizanit, të cilët në shi dhe në të ftohtë këndonin e brohorisnin ekipin e zemrës, madje të zhveshur nga mesi e lart, pa parë lojën që luanin ekipet në fushë. Në fund të takimit të gjithë qytetarët përshëndesnin me dorë tifozët e Partizanit. Ku ka më bukur se kaq sa të fitosh respektin e kundërshtarit, madje në shtëpinë e tij edhe kur ti ke fituar. Kjo është tifozëria e Partizanit që tani e kanë zili të gjithë. Ajo nuk është vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, sepse të gjithë e duan Partizanin. Këtë e shpreh dhe thirrja e tyre: Tirana, Dinamo te plasin nga zilia, se Partizanin e do e gjithë Shqipëria. E duan të ngjitet lart e më lart, për të qënë në elitë ashtu si sot në elitë është Tifozëria e saj e zjarrtë, që e do me shpirt PARTIZANIN. Këtë të vërtetë ata e kanë simbolizuar me thënien e tyre të zemrës Përjetë me ty PARTIZAN.
