E Shtunë, 31 Tetor 2026

E arsyetojnë shkarkimin

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, nuk është pishman aspak që e solli në Kosovë trajnerin Wolfgang Jerat. Ai insiston se gjermani bëri punë të mirë, por që nuk u përshtat me futbollin kosovar. Kreu i klubit bardhekaltër thotë se janë ngutur me angazhimin e Jeratit, derisa mendon që një gjë të tillë është dashur ta bënte pas 5 vjetësh. Sidoqoftë, gjermani do të mbetet në klub me një pozitë tjetër.

Prishtina kishte vendosur ta shkarkonte trajnerin Ramiz Krasniqi në kohën më të mirë, duke e zëvendësuar atë me trajnerin Wolfgang Jerat. Me gjermanin, bardhekaltrit synonin ta bënin një Prishtinë evropiane.

Por, gjërat nuk rrodhën ashtu siç ishte planifikuar. Trajneri gjerman bëri ndryshime të çuditshme në ekip dhe rezultatet munguan. Prishtina nuk ishte as për së afërmi ajo e vjeshtës, si në aspektin kualitativ, ashtu edhe atë të rezultateve, duke lëshuar 8 pikë në shtëpi, të cilat i kushtuan me humbje të primatit.

Rezultatet e dobëta i kushtuan me shkarkim trajnerit gjerman. Ndërkohë, presidenti i klubit kryeqytetas, Remzi Ejupi, nuk mendon se bëri gabim që e solli atë në Kosovë. I vetmi gabim mendon numri një i klubit bardhekaltër ishte se Jerat erdhi në vendin tonë shumë herët, pasi që është dashur të pritet edhe disa vite.

“Kur kemi menduar për angazhimin e Jeratit, nuk kemi menduar vetëm për Prishtinën, por edhe për futbollin kosovar. Por, si duket, disa njerëz janë të pakënaqur dhe u ka humbur durimi, prandaj është marrë vendimi për shkarkimin e tij. Edhe lojtarët kanë shfaqur pakënaqësi pas ndryshmeve që ka bërë”, deklaroi fillimisht Ejupi për Express.

“Koncepti i futbollit kosovar nuk përputhet me atë ballkanik apo evropian, prandaj Jerat nuk ka mundur ta gjejë veten, nuk është përshtatur mentaliteti i tij me atë kosovar. Ne kemi menduar që përmes tij mund ta kemi më lehtë t’i afrohemi futbollit evropian. Por, futbolli kosovar nuk i përshtatet konceptit evropian, ne bëjmë futboll mashallash, andaj jemi ngutur që e kemi marrë tash. Është dashur ta angazhonim pas 5 apo më shumë vjetësh, kur të përmirësohet sadopak gjendja e futbollit tonë”, vazhdoi ai.

Ejupi, i cili gjendet jashtë vendit, e ka përkrahur vendimin e pjesës tjetër të bordit të klubit, edhe pse mendon se Jeratit është dashur t’i jepet edhe pak kohë. Por, trajneri gjerman nuk do të largohet përfundimisht nga Kosova. Ejupi është përkujdesur që atë ta mbajë deri në fund të sezonit.

“Trajneri ka startuar mjaft mirë, ka pruar frymë të re. Ka zbuluar lojtarë që nuk i ka njohur askush. Largimi i tij nga shtabi teknik nuk do të thotë se Jerat nuk do të jetë pjesë e jona në vazhdim të sezonit. Atij do t’i ofrohet një pozitë e re dhe do ta respektojë kontratën deri në fund. Ai ka përvojë dhe për njerëz të tillë ka gjithmonë hapësirë te ne. Me praninë e tij në Prishtinë, fiton edhe futbolli i Kosovës”, përfundoi Ejupi.

Prishtina vendosi ta shkarkojë Wolfgang Jeratin të dielën, pas barazimit në shtëpi me Trepçën, por edhe për shkak të rezultateve të zbehta që regjistroi ekipi bardhekaltër në pranverë me të. Në vend të tij është emëruar Jusuf Tortoshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›