E Diel, 1 Nëntor 2026

Bërdo, nis me mungesa Samiti “Bashkë për BE”

BRDO-Në organizim të përbashkët të Sllovenisë e Kroacisë, në Bërdo afër Kranjit sot fillon samiti i shteteve të Ballkanit Perëndimor nën temën “Bashkë për Bashkimin Evropian”. Konferenca e nivelit të lartë do të mbledhë sot lider dhe kryetarë qeverish të vendeve të Rajonit e Europës.

Sipas paralajmërimeve, presidenti i Serbisë, Boris Tadic nuk do të marrë pjesë në këtë samit për shkak se nuk është plotësuar kushti i tij që Kosova të mos jetë e barabartë me të tjerët. Në Samit nuk do të jetë as presidenti i BE-së Heman van Rompuy, e mbase edhe shefi i diplomacisë spanjolle Migel Anhel Moratinos, i cili është njoëkohësishgt edhe kryesues i BE-së deri në fund të muajit qershor ë këtij viti. Diplomatë nga disa vende të BE-së dyshojnë se Spanja e ndoshta edhe Italia e kanë inkurajuar Serbinë që të mos marrë pjesë.
"Ne nuk do ta dënojmë askënd që nuk do të marrë pjesë në takim", ka deklaruar të premten në Lubjanë kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, duke thënë për herë të parë edhe zyrtarisht dhe publikisht se takimi i liderëve politikë të rajonit të Ballkanit do të zhvillohet. "Të gjithë ata që do të marrin pjesë do të japin kontributin e tyre për dialog dhe përparim të këtij rajoni", ka thënë Pahor.
Burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë “Kohës Ditore” se Van Rompuy vetëm "në parim" kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takim, por ai mendonte të merrte pjesë vetëm nëse sigurohej "sukses i plotë", pra nëse të gjithë të ftuarit do të merrnin pjesë. Me gjithë mospjesëmarrjen e tij në takim, presidenti i BE-së, Van Rompuy ka lëshuar një deklaratë me të cilën e përshëndet këtë takim. "Unë mirëpres të gjitha nismat për bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe takimin që zhvillohet në Bërdo, Slloveni. Ky bashkëpunim ka rëndësi të lartë për tërë Evropën prandaj, në këtë kontekst, planifikoj të vizitoj rajonin sa më shpejt që të jetë e mundur", thuhet në deklaratën e Van Rompuyit.
Nga BE-ja një ditë para zhvillimit të takimit në Bërdo ishte konfirmuar se do të merrte pjesë vetëm komisioneri i Zgjerimit dhe fqinjësisë evropiane, Shtefan Fule.
Me gjithë zhgënjimin me Serbinë dhe presidentin e saj, i cili kishte ndryshuar fjalët, organizatorët besojnë se takimi ka rëndësi të madhe pasi që shënon nisjen e një procesi të rëndësishëm për të gjithë popujt e rajonit. Një diplomat i afërt me organizatorët madje tha se gjithë këtë situatë më së miri e përshkruan shprehja "Kush mungon-mundemi edhe pa të".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›