73 vota ‘pro’, votohet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit

PS “vetëvrasje” politike, tërheq nismat, por Kuvendi miraton ngritjen e Komisionit Hetimor
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me votat e mazhorancës ngritjen e Komisionit Hetimor, për të bërë transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, me kërkesë të palës opozitare. Pas shumë orësh të tëra diskutimesh dhe divergjencash me palëve, Partia Socialiste tërhoqi nismat e saj për hetimin dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një veprim ky i befasishëm dhe jashtë çdo norme të kontekstit moral, të atyre deputetëve dhe kryetarit të tyre, që pas 6 muajsh endjesh rrugëve të Shqipërisë, propozojnë në parlament draftin e tyre dhe në momentin e finalizimit të tij sipas ligjeve në fuqi, PS tërhiqet, duke bërë një vetëvrasje politike. Pas këtij momenti, mazhoranca tregoi vullnetin e saj, për t’i shkuar deri në fund pretendimeve të opozitës, lidhur me zgjedhjet e vitit të kaluar.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e konsideroi këtë veprim si të turpshëm, ndërsa u kërkoi deputetëve opozitarë dhe kryetarit të tyre Edvin Rama, t’i kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për mashtrimin më të madh që u kanë bërë prej më shumë se 6 muaj me radhë.
“Nëse ju tërhiqeni nga nisma, ne nuk e bëjmë një gjë të tillë. Sepse kemi bërë premtimin dhe do ta mbajmë atë. Në bazë të nenit 72 të rregullores së Kuvendit, ne do të ngremë komisionin hetimor për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Le ta mësojnë të gjithë shqiptarët qëllimin tuaj”, u shpreh Kryeparlamentarja Topalli.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi.
Patozi theksoi se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund premtimit të saj, për të realizuar hetimin e zgjedhjeve, siç e ka kërkuar opozita.
“Kërkojuni falje shqiptarëve për gënjeshtrën tuaj, se kërkoni transparencë, por ju nuk kërkoni transparencë. Ju, ata zgjedhës nuk i keni përfaqësuar, ndaj kërkojuni falje.
Ju bëtë një tërheqje spektakolare, tërhoqët propozimet tuaja, por ne nuk tërhiqemi. Ne nuk pranojmë tërheqjen nga komisioni hetimor dhe e bëjmë nismë, tonën, duke e miratuar me votat tona dhe ju e keni derën të hapur të jeni të pranishëm, për tu bërë të ditur qytetarëve transparencën e pretenduar nga ju”, u shpreh Patozi.
Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të trajtojë me efikasitet çdo nismë ligjore të PS-në.
“Ky kuvend do të trajtojë çdo nismë ligjore të PS-së. Nëse keni ardhur në këtë sallë, s’e keni bërë për ne, por për zgjedhësit tuaj dhe për të shpëtuar mandatet tuaja personale. Mirë keni bërë...Por, nuk mund t’i kërkoni mazhorancës shpërblime, për vendimin tuaj. Ju nuk mund të kërkoni kushtëzimin e qëndrimit në parlament, për të plotësuar çdo kërkesë apo çdo tekë tuajën, porsa kohë ato nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe Kushtetuese. Edhe tani, që kemi mbërritur në fazën finale të shqyrtimit të draftit, qytetarët duhet të dinë se nuk ka asnjë rast tjetër në botë që të kërkohet të miratohet një ligj që i kapërcen caqet kushtetuese. Ne kemi një qëndrim që ndryshon nga i juaji. Ju latë pas asnjë shkak, për 6 muaj me radhë, bosh karriget e kuvendit. Ndaj, kjo mazhorancë është e gatshme të bëjë hetimin e zgjedhjeve dhe është e gatshme të ngrejë komisionin hetimor”, deklaroi më tej, Astrit Patozi.
Më pas, Kuvendi procedoi më ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar. Në këtë votim, u miratua me 73 vota “pro”, ngritja e Komisionit.
Në përfundim të votimit, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, bëri të ditur se mazhoranca është e vendosur për hetim të plotë dhe transparencë të zgjedhjeve dhe se, transparenca dhe zbatimi i Kushtetutës, ishte kërkuar vetëm pak orë para këtij votimi, edhe nga Komsionieri Fule.
“Komisioneri për Zgjerim, Fule, në deklaratën e tij, tha një shprehje shumë domethënëse ‘dy parimet e demokracisë: respekti ndaj Kushtetutës dhe transparencë’. Atë kemi bërë. Ne do e ngremë Komisionin. Nëse ju tërhiqeni, ne nuk tërhiqemi. Shqiptarët do të kuptojnë kush ishte për transparencën, kush ishte i sinqertë dhe kush abuzonte me transparencën. Ne jemi për komisionin hetimor. Jemi për transparencë të plotë. Jemi për hetim të plotë dhe kjo është në vendimin që kemi përpara, ndaj ju ftoj ta votojmë”, tha Kryetarja e Kuvendit.
VENDIMI
PëR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR Të KUVENDIT PëR TRANSPARENCëN E ZGJEDHJEVE Të PëRGJITHSHME, Të MBAJTURA Më 28 QERSHOR 2009.
Në mbështetje të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës, si dhe të pikës 8 dhe 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit,
K U V E N D I
I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë
V E N D O S I:
I. Ngrihet Komisioni Hetimor i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës të një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009.
II. Objekti i punës të komisionit hetimor
a. hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor
b. hetimi i dyshimeve dhe akuzave të bazuara të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit;
c. hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave;
ç. hetimin e akuzave publike të bazuar për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
d. hetimin e akuzave të bazuara për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik për shkaqe që lidhen me fushatën, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijues e pas saj;
dh. hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009.
e. çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor që do të rezultojë gjatë hetimit.
III. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet”.
IV. komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në Seancë Plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
V. Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 15 deputetë. Kryetari i përket Partisë Socialiste. Komisioni përbëhet si më poshtë:
1. Kryetar PS
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8. Ilir Rusmali PD
9. Eduard Halimi
10. Enkelejd Alibeaj
11. Aldo Bumçi
12. Arenca Trashani
13. Viktor Gumi
14. Edi Paloka
15. Nasip Naço LSI
VI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 3 mujor nga miratimi i këtij vendimi
VII. Ngarkohen Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij Komisioni.
VIII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryetare
Jozefina Topalli (çoba)
...