E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhja e ngërçit politik, në respekt të plotë me Kushtetutën dhe ligjet

Kryeministri Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha shprehet edhe njëherë se zgjidhja e situatës politike në vend, mund të bëhet vetëm në raport të drejtë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Gjatë një konference për shtyp të zgjidhur dje pas takimit kokë më kokë me Komisionerin për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, i cili vizitoi Tiranën në kuadër të një turi Ballkanit, shefi i ekzekutivit shqiptar konfirmoi qëndrimin e palëkundur të mazhorancës, për të finalizuar ngërçin e sajuar nga opozita me çdo instrument ligjor, mjafton që të mos cenohet kushtetuta.

“Në diskutimet tona me Komisionerin dhe delegacionin që kryeson, një vend të veçantë zuri çështja e ngërçit politik. Edhe njëherë shpreha bindjen time më të thellë dhe u shpreha plotësisht dakord me deklaratën që Komisioneri Fule ka bërë në aeroportin e vendit se çështja duhet të zgjidhet nga lidershipi shqiptar, në respekt të plotë të kushtetutës dhe transparencës. Por unë kam bindjen se respektimi i Kushtetutës së Shqipërisë dhe transparenca janë plotësisht të pajtueshme, dhe se vendi ka të gjitha instrumentet e shtetit ligjor për të vepruar në përputhje me kushtetutën dhe për të realizuar transparencën”, u shpreh kryeministri Berisha.

Duke informuar për takimin e zhvilluar me Fule, Berisha u shpreh se kjo vizitë është një ngjarje e rëndësishme në një moment tepër të rëndësishëm. Sipas kryeministrit, vendi ndodhet në prag të një hapi madhor në proceset e integrimit, siç është heqja e vizave me Komisionin Evropian, për të gjithë shtetasit shqiptarë.

“Gjatë takimit, shpreha mirënjohjen time më te thellë ndaj Komisionit Evropian për ndihmën e gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë, e njoha me angazhimin e plote dhe total te qeverise, administratës dhe institucioneve të këtij vendi, për përgjigjet e pyetësorit për statusin e kandidatit, e njoha me faktin se këto përgjigje kane përfunduar dhe nga fundi i muajit përfundon dhe përkthimi i tyre, pra bëhet e gatshme për tu paraqitur në komision në datën e caktuar. Gjithashtu e njoha Komisionerin Fule, me të gjithë përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me përpjekjet e tjera për modernizmin e kontrollit të kufijve dhe sigurisë së vendit, në mënyrë që të meritojmë liberalizimin e vizave. Si në të gjitha çështjet, unë shpreha mendimin tim se qeveria shqiptare e konsideron procesin e liberalizmit të vizave, bazuar në performancën dhe arritjet, si interesin më të mirë, të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë në tërësi. Procesi i liberalizimit të vizave dhe zbatimi i udhërrëfyesit, ishte jashtëzakonisht i dobishëm për Shqipërinë. Kam bindjen më të madhe se ka ngritur ne një nivel te ri, kontrollin e sigurisë se vendit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kreu i qeverisë i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet me Komisionin Evropian.

“Përfaqësues të Komisionit kanë ardhur dhe kanë inspektuar vendin në të gjitha fushat. Kanë bërë raportet e tyre. Ne po i shqyrtojmë ato dhe do t’i paraqesim komisionit të gjitha faktet e vërejtjet tona për çdo problem të ngritur. Pra ky është një proces tërësisht transparent. Gjithashtu sigurova se ne jemi të gatshëm të firmosim me të gjitha vendet anëtare të BE-së, të gjitha llojet e marrëveshjeve të domosdoshme, për të luftuar me sukses krimin e organizuar dhe për të parandaluar llojet e ndryshme të trafiqeve”, deklaroi më tej, Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›