E Diel, 1 Nëntor 2026

Bërdo si test

Shefat e diplomacive të Bashkimit Europian gjatë një takimi në qytetin spanjoll të Kordobës janë dakorduar që në muajin qershor të mbahet një takim i nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor në të cilin do të konfirmohet perspektiva e hyrjes së të gjitha shteteve në Bashkimin Europian.

“Ka qenë qëndrim unanim i shefave të diplomacive të BE’së që hapësira e Ballkanit Perëndimor është e një rëndësie të veçantë për stabilitetin e Unionit”, ka thënë një zëdhënës nga Presidenca e BE’së.

Sipas zyrtares spanjolle, Ana de Miguel, takimi i ministrave të jashtëm ka qenë një takim i tipit “Gymnich”, në të cilin nuk është miratuar asnjë konkluzion. Ajo ka thënë sipas të gjitha gjasave se ky takim do duhej të mbahej në nivel të lartë ministror, në Sarajevë, por ka theksuar se data e mbajtjes së takimit do të njoftohet më vonë.

Në këtë takim do të konfirmohet gjendja aktuale në procesin e bashkëngjitjes së rajonit në Bashkimin Europian, si dhe sërish do të rikonfirmohet perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, si dhe nevoja e stabilizimit të rajonit. Zyra spanjolle ka thënë se ministrat e Bashkimit Europian kanë konkluduar se Ballkani Perëndimor konsiderohet thelbësor për stabilitetin e Bashkimit Europian dhe tërë Europës.

Kryesuesi i takimit, Shefi i diplomacisë spanjolle, Miguel Angel Moratinos ka deklaruar se është e nevojshme mbajtja e takimit në Sarajevë, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje se në çfarë forme do të përfaqësohet Kosova.

Një formë e mundshme e përfaqësimit të Kosovës në samitin e Sarajevës është takimi i Kranjit, që do të mbahet më datën 20 të këtij muaji. Por, as rreth këtij takimi duket se akoma nuk ka ndonjë marrëveshje. Serbia nuk pajtohet me idenë e Sllovenisë që në tavolinën e Konferencës së Kranjit për Ballkanin, ku është ftuar edhe Kosova, të vendosen vetëm emrat e pjesëmarrësve, por jo edhe të shteteve.

Eliminimi i emrave të shteteve dhe pjesëmarrja e Shefit të UNMIK’ut, Lamberto Zannier, është konsideruar si zgjidhje kompromisi në mënyrë Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti serb, Boris Tadic të ulen në të njëjtën tavolinë të Konferencës që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjit.

Presidenti Sejdiu ka thënë se Kosova nuk do të paraqitet nën siglën “UNMIK-Kosovo”.

“Kryeministri do të shkojë në bazë të ftesës së kryeministrave të Sllovenisë dhe Kroacisë. Ai do të përfaqësojë vetëm vendin tonë”, ka thënë ai.

Edhe Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova do të paraqitet si shtet i pavarur sovran dhe demokratik, si bartës të institucioneve dhe vetëm si shtet i pavarur.

Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zhbogar në mbledhjen e shefave të diplomacive në Kordobë ka thënë se ende është duke u shqyrtuar mënyra se si do të përfaqësohet Kosova në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo. Zhbogar ka thënë se nuk dëshiron të flasë për detajet të përgatitjeve për atë konferencë, kur është fjala për pjesëmarrjen e Serbisë dhe Kosovës. Ministri i Sllovenisë ka theksuar se, “gjërat po ndryshojnë dhe se çdo gjë do të harmonizohet deri në ditën e fundit”, dhe se për atë takim kanë konfirmuar pjesëmarrjen Kryetari i Serbisë, Boris Tadic, ashtu dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›