E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevojë për rend

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se autoritetet e Prishtinës domosdoshmërisht duhet të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës, një rajon ky që është shndërruar në çerdhe të kontrabandës dhe krimit.

“Strategjia gjithëpërfshirëse për Veriun është një veprim kushtetues i institucioneve të Republikës së Kosovës, që nënkupton një tërësi veprimesh për vendosjen e rendit demokratik dhe sundimin e ligjit në atë pjesë. Qëllimi i saj pra është rikthimi i asaj pjese brenda normalitetit demokratik, që qytetarët e asaj ane të bëhen pjesë e zhvillimeve pozitive të vendit tonë sovran e demokratik”, ka deklaruar Thaçi, për “Zhurnal”.

“Ne do të punojmë që Strategjia të realizohet. Efektet e saj do të ndikojnë që edhe ata qytetarë të pjesës veriore që mund të kenë dyshime, të kuptojnë se kjo strategji është në funksion të interesave të tyre themelore për jetë të sigurt, për mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. Asnjë prej këtyre interesave nuk mund të përmbushet në kushtet kur funksionojnë struktura të paligjshme, të lidhura me krimin e organizuar. Vetëm rendi demokratik garanton zhvillimin dhe mirëqenien. Veriu i Kosovës e meriton këtë dhe ne do ta bëjmë”, ka shtuar ai.

Në intervistën dhënë për “Zhurnal”, Kryeministri ka folur edhe për procesin e ndryshimeve në qeverinë që drejton.

“Në vendet demokratike, qeveritë nuk janë struktura rigjide. Ato sillen konform nevojave që dalin prej proceseve që zhvillohen në një vend. Kështu është edhe te ne. Gjithmonë shtrohet nevoja për energji të reja, për rritje të kapaciteteve ekzistuese në qeverisje dhe ne do ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Kryeministri Thaçi ka shtuar se koalicioni aktual qeverisës mes PDK’së dhe LDK’së është funksional, pavarësisht akuzave që kanë shkëmbyer gjatë fushatës zyrtarët e partive që ndajnë pushtetin.

“Koalicioni qeverisës e ka treguar qëndrueshmërinë, funksionalitetin dhe efikasitetin e tij. Kjo ka rëndësi për vendin dhe qytetarët. Të tjerat janë pjesë legjitime e aktiviteteve partiake”.

Thaçi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Qeveria që unë drejtoj dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës kemi vënë në veprim të gjitha mundësitë ekzistuese në përmbushjen e të gjitha kritereve që sa më parë që është e mundur, edhe vendi ynë të bëhet pjesë e procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë proces janë edhe disa faktorë që nuk varen nga ne, e që shkaktojnë ndonjëherë hezitime të panevojshme. Një gjë është e sigurt, perspektiva europiane e Kosovës është e sigurt dhe e afërt”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›