E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Bodes: Ke konflikte interesi

07/01/2009  Rritja ekonomike për vitin 2008 risjell debatin mes Kryeministrit dhe ministrit të Financave

Ministria e Financave hedh poshtë shifrat e INSTAT-it. Reagon ashpër kreu i qeverisë

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave Ridvan Bode brenda pak ditëve janë përplasur për herë të dytë. Këtë radhë Berisha dhe Bode replikuan mbi shifrën që përcakton rritjen ekonomike të vendit për vitin që sapo kaloi. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive kreu i qeverisë dhe ministri i Financave kanë parashtruar qëndrime krejt të kundërta në lidhje me faktin se cili ka qenë niveli i rritjes ekonomike. Drejtuesi i dikasterit që administron paratë e shtetit ka kundërshtuar shefin e tij, duke theksuar se rritja ekonomike vjetore nuk është në masën 9.9 për qind, siç pretendon dhe ka deklaruar me të madhe Berisha, por më e ulët. Bode, duke kundërshtuar ka këmbëngulur se rritja ekonomike është 7 për qind. Sipas ministrit të Financave, shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave flasin vetëm për rritjen ekonomike vetëm të tremujorit dhe jo të të gjithë vitit. “Kam marrë kontakt me drejtoreshën e Statistikave dhe ajo më ka thënë se rritja vjetore do të jetë në kufijtë 7-8 për qind”, - tha Bode. Por ky pretendim është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga shefi i ekzekutivit. Kryeministri Berisha nuk e ka pritur mirë oponencën e ministrit të tij. Ai ka mbrojtur të dhënat e shpallura nga Instituti i Statistikave, që sipas tij ka shpallur se rritja ekonomike për vitin 2008 është 9.9 për qind. “Treguesit makroekonomik të çdo vendi nxirren nga institutet e statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti, as ministri yt dhe asnjeri, në qoftë se nuk ka gabim, t’i hidhni poshtë apriori se u leverdis. Është një praktik absolutisht e papranueshme”, - tha Berisha duke iu drejtuar zëvendësministrit të Financave Florjon Mima, i cili raportoi para Komitetit. Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar ministrit të Financave ka deklaruar se ai (Bode) dhe ministria që drejton gjenden në konflikt interesi me shifrat reale të rritjes ekonomike të certifikuara edhe nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Ju, të nderuar zotërinj, jeni në konflikt të hapur interesi me shifrën. E kuptoni vetë ju. Jam plotësisht dakord, ajo që kam biseduar me Ridvanin se tremujorët me vjetorin mund të kenë një mesatarizim, por ama shifër tjetër ne nuk mund të përdorim. Janë të certifikuara nga Fondi Monetar”, - tha Kryeministri. Ai theksoi se ka pasur kontakte personalisht me drejtoreshën e INSTAT-it. Rritja ekonomike në masën 9.9 për qind është trumbetuar me të madhe gjatë ditëve të fundit të vitit 2008 nga Berisha. Në daljet publike, në mbledhje të qeverisë dhe konferenca për shtyp ai ka deklaruar i entuziazmuar për një bum ekonomik që ka përjetuar vendi ynë. Kryeministri Berisha ka nënvizuar për rritjen ekonomike dyshifrore të Shqipërisë.

Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive Kryeministri është ndalur edhe në vjeljen e taksave në kryeqytet. Ai është shprehur shumë ashpër ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, duke e akuzuar atë se vjelja e taksave në Tiranë është në nivel shumë të ulët. Ai bëri të ditur se qeveria do t’i ofrojë Bashkisë së Tiranës fondet për shpronësimet për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës dhe, në rast se Bashkia dështon në sigurimin e kredisë për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale, qeveria do të marrë përsipër ndërtimin e saj.

Qëndrimi i Berishës

Për Kryeministrin Berisha treguesit makroekonomik nxirren nga institutet e statistikave. Duke kundërshtuar informacionin që jepte zëvendësministri Florjon Mima, ai tha se ai dhe ministri i Financave Ridvan Bode nuk kishin të drejtë, në qoftë se nuk ka gabim, t’i hedhin poshtë apriori se u leverdis. “Jeni në konflikt të hapur interesi me shifrën. Janë të certifikuar nga FMN-ja”, - tha Berisha.

Reagimi i Bodes

Ministri i Financave Ridvan Bode pretendon krejt ndryshe nga Kryeministri Berisha në lidhje me rritjen ekonomike të vendit për vitin 2008. Sipas tij, shifra nuk mund të shkojë kurrsesi në masën prej 9.9 për qind, por më pak. “Kam marrë kontakt me drejtoreshën e Statistikave dhe ajo më ka thënë se rritja vjetore do të jetë në kufijtë 7-8 për qind”, - deklaroi ministri Bode.

Unaza e Tiranës

Qeveria do të ndihmojë Bashkinë e Tiranë për të ndërtuar unazën e re të kryeqytetit. Kreu i qeverisë Sali Berisha ka thënë gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive se unaza e madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për qytetin dhe se Bashkisë do t’i ofrohet mundësia për shpronësimin. “Shanset e Bashkisë për t’u bërë e zgjedhshme për kredi janë minimale”, - ka deklaruar Berisha.

Përplasja e parë

Kryeministri Berisha dhe ministri Bode replikuan gjatë mbledhjes së 17 dhjetorit të kaluar mbi përdorimin e letrave me vlerë. Kryeministri mbrojti vendimin për riaktivizimin e letrave me vlerë, me të cilat pronarëve u jepet e drejta e parablerjes, 80% të vlerës ta blejnë me letra me vlerë dhe vetëm 20% të saj ta blejnë me lekë. Por Bode propozoi tjetër formulë, sipas së cilës, në rast se ish-pronarët nuk do të kishin mundësi të blinin objektin, atëherë të zhvillohet ankandi dhe me paratë që do të mblidhen nga shitja e këtyre objekteve të bëhet më pas shlyerja apo dëmshpërblimi i pronarëve për truallin e tyre. Propozimi u rrëzua nga Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›