E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Kodheli: Qeveria të lidhë pension për dy fëmijët që u vdiq nëna në Poliçan

Mimi Kodheli Tiranë, 7 Janar, 13:00, NOA - “Dje, pasiguria kronike e këtij shteti mori jetën e një punëtoreje fatkeqe. Në të njëjtën ditë në sallën e qeverisë, luhej një skeç banal mes Sali Berishës e Ridvan Bodes për rritjen ekonomike. Të dy talleshin!”, tha Mimi Kodheli, zëdhënësja e Partisë Socialiste, në një konferencë shtypi.

“Dje, lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë që rritet përditë, vrau një grua te pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurtë shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike. Të dy gënjenin!”, tha ajo.

Sipas Kodhelit, “dje një nënë la pas dy fëmijë jetimë në një familje të këputur nga skamja në qytetin e varfër të Poliçanit ku nuk mbërriti asnjë ngushëllim nga qeveria, të cilës për shkak të mungesës së çdo kushti sigurie i'u vra një punonjëse e ndershme”.

“Kryeministri dhe Ministri i Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që u kanë mbetur duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu, si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj”, përfundoi deklaratën e saj, Kodheli.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›