Berisha - Lideri konsensual që vizitoi dje Prishtinën...

Reagimi i ministrit të punëve të brendshme të Rusisë (Lavrov), ndaj deklarimit të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha lidhur me qëndrimin e tij kundër getoizimit të shqiptarëve - të ndarë në pesë shtete të Ballkanit - është nonsensi i radhës i botëkuptimit hegjemonist pansllavist. Lavrovi kërkon nga shtetet evropiane që të distancohen nga deklaratat e kryeministrit Berisha lidhur me bashkimin ekonomik e kulturor të shqiptarëve të Ballkanit, dhe këtë ai e “lexon” si tendencë të krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. Shqipëria e Madhe është një karakterizim i lançuar pikërisht nga sllavët e jugut dhe pikërisht në kohën kur ra në lëngatë i Sëmuri i Bosforit. Nuk ekziston Shqipëri e Madhe, por veç Shqipëria Etnike Historike. Kryeministri Berisha në fjalën e tij të promovimit të Superstradës Durrës - Merdare, nuk ka aluduar për bashkim kombëtar gjeografik të shqiptarëve të Ballkanit, fjalimi i tij madje, nuk ka pasur asnjëfije aludimi a simbolike të tillë, siç janë mësuar ta kualifikojnë të tjerët si “romantik-nacional”. Përkundrazi, fjala e tij plotëson standardet e proklamuara evropiane, për eliminimin e kufijve, për hapjen e shteteve dhe për qarkullimin e lirë të kulturës dhe ekonomisë. Pse kjo hapje po i pengon Rusinë dhe disa qarqe të Evropës? Kush janë ata që po kritikojnë shqiptarët kinse këta po kthehemi në filozofinë e fillim shek 20-të? Janë ata që pikërisht po i pengon standardi modern evropian për hapje, për integrime, e jo për kufizime të fillim-shekullit 20-të! Po i pengon hapja sipas standardeve moderne të ekonomisë dhe kulturës shqiptare, po i pengon zhdukja e getoizimeve kombëtare të disa popujve, që asnjëherë në histori nuk ishin aleatë të pansllavizmit, i cili pretendon ta hegjemonizojë, jo vetëm Ballkanin, por edhe Evropën Qendrore. Sali Berisha është i pari lider që nga pozita zyrtare e shtetit të Shqipërisë, i pari foli për anomalinë e getoizimeve ballkanike, për ndarjen e kombeve në shtete okupatore. Asnjë komb në Ballkan, përveç shqiptarëve, nuk është ende i getoizuar në bazë të kritereve të pikërisht fillimit të shek. 20-të. Filozofinë politike të fillim-shek.XX, sot e përqafojnë ata që si Rusia dhe disa qarqe komuniste të Evropës, ende pretendojnë t’i mbajnë lidhur me kufij disa kombe, siç vendosën pikërisht atë dhe pikërisht në fillim-shekullin 20. Shqiptarët, sot, nuk po kthehen në filozofinë politike të fillim-shekullit 20, por shqiptarët sot, po përqafojnë standardet e integrimeve evropiane më shumë se sa edhe vetë disa shtete të BE-së me politikë të retarduar të pikërisht fillim shek. 20-të. Në fillim-shekullin XX kthehen, jo shqiptarët, por të gjithë ata që edhe sot dëshirojnë t’i ruajnë kufijtë e getove shqiptare, të vendosura në atë kohë, si qifti i Llavrovit. Shqiptarëve pikërisht në fillim të shekullit 20-të, ua kanë imponuar getoizimin me dhunë ushtarake dhe me politikë histerike perfide të disa aleancave evropiane-ruse. Pra, Berisha është i pari që foli zyrtarisht në emër të shtetit zyrtar për këtë çështje, për hapjen e shqiptarëve, për qarkullimin e lirë të ideve dhe mallrave ndër shqiptarë dhe ndër ballkanikë të tjerë. Pra është i pari kryeministri Sali Berisha, që foli në këtë linjë në emër të shtetit, ndaj apriori ai e merr epitetin e Liderit Kombëtar. Po si mund të merr Evropa qëndrim (refuzues ose miratues) ndaj qëndrimit të politikës zyrtare të Tiranës shprehur në deklarimet e Berishës për çështjen e çlirimit të shqiptarëve nga kufijtë, që u vendosën me një padrejtësi historike që e bëri ndaj tyre Evropa, duke iu nënshtruar aleancave sllave. Definitivisht, me gojën e Sali Berishës, për herë të parë në histori foli shteti shqiptar. Sali Berisha definitivisht është Lider i Kombit!
...