E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nderohet me “Medaljen e artë të lirisë” si dhe me titullin “Doktor Honoris Causa” të UP-së

Berisha nderohet me “Medaljen e artë të lirisë”, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Fatmir Sejdiu  


Kryeministri Sali Berisha u nderua dje me “Medaljen e artë të lirisë”, të akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me motivacionin “Për kontributin e lartë në mbrojtje të lirisë së Kosovës”. Kjo medalje iu dha kryeministrit Berisha, nga Presidenti Sejdiu  gjatë seancës plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit Berisha. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Sejdiu, vlerësoi përkrahjen dhe kontributin e rëndësishëm të kryeministrit Berisha dhënë në vite për Kosovën dhe popullin e saj: “Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ju falënderojnë nga zemra për përkrahjen e pa rezervë që ju, qeveria dhe i gjithë populli i Shqipërisë i keni dhënë Kosovës në vazhdimësi, dhe në çastet më të rënda të historisë sonë”, u shpreh Sejdiu. Nga ana e tij, kryeministri Berisha  duke e vlerësuar këtë medalje si nderimin më të madh u shpreh se, “Zoti President, medalja e artë që më akordoni sot përbën për mua një akt madhor krenarie për të gjithë kontributin që qytetarët e Kosovës dhe Kosova dha për lirinë e kombit, lirinë e rajonit dhe më gjerë, përbën për mua nderimin më të madh, sepse këtu në Kosovë u zhvilluan të gjitha lëvizjet e mëdha për liri të shqiptarëve, ndaj dhe unë ndihem shumë krenar me medaljen që ju më dhatë”.


Për kontributin e tij në dobi të njerëzve dhe atë politik në dobi të kombit - Berisha nderohet nga Universiteti i Prishtinës, me titullin “Doktor Honoris Causa”


Një mjek kardiolog dhe akademik i njohur në Shqipëri para viteve ’90, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili prej dy dekadash po jep një kontribut të veçantë në fushën politike dhe ekonomike  në trojet shqiptare, u nderua sot pasdite me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës në Kosovë, një titull me të cilin janë nderuar më parë ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, ish- Kryeministri i Anglisë, Toni Bler, etj.  Në të parën vizitë zyrtare që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po zhvillon në Kosovën e pavarur, Universiteti i Prishtinës e ka vlerësuar atë me këtë titull të lartë për “kontributin e tij në dobi të njerëzve dhe atë politik në dobi të kombit”. “Për kontribut të veçantë në fushën e shkencës dhe arsimit shqiptar, për vendosjen dhe  konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, për mbështetjen e fuqishme dhe të pandërprerë të luftës të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi, për angazhimin për paqen dhe sigurinë në rajon, për meritën e veçantë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore që lidh trojet shqiptare, për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të shumë anshme midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe integrimin e tyre në NATO dhe BE”, ishte motivacioni që shoqëronte titullin për  Berisha. Përpara një auditori, ku ishin të ftuar personalitete nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga organizmat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, Kryeministri Berisha u shpreh se shkel për herë të parë në Universitetin e Prishtinës, por ky universitet, vlerësoi ai “është Kembrixhi i lirive të mia”. Pa i fshehur emocionet për këtë titull, Prof. Dr Berisha cilësoi në fjalën e tij se “Universiteti i Prishtinës më ka frymëzuar gjatë gjithë jetës sime më shumë se çdo gjë tjetër në historinë tonë kombëtare”. Ai kujtoi faktin se në një kohë kur Kosova lëngonte në shtypje studentët e këtij universiteti ngriheshin si viganë. Kryeministri Berisha veçoi rolin e Presidentit Rugova, që fitoi respektin, simpatinë e mbarë botës së qytetëruar për vlerat që kishte kultivuar në këtë universitet, ndërsa u shpreh se me dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës ranë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e kombit. Rektori i Universitetit të Kosovës, Mujë Rugova, i cili i dorëzoi Kryeministrit Berisha titullin e lartë, e cilësoi një ditë të veçantë dekorimin e Kryeministrit të Shqipërisë. Ai vlerësoi kontributin për vite me radhë të Berisha për shkencën në përgjithësi dhe për mjekësinë në veçanti,  ndërsa në këto 20 vitet e fundit kontributin e tij të spikatur në fushën politike në Shqipëri dhe në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›