E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova, bashkë për ëndrrën evropiane. Kryeministri, takime intensive me krerë të lartë të shtetit

Kosova, pritje madhështore për kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha Kryeministri Sali Berisha nisi dje në Kosovë, vizitën e tij dy ditore, të parën pas shpalljes së pavarësisë. Kryeqyteti Prishtina, por edhe e gjithë Kosova, u zgjua e mbushur në gjithë hapësirën e saj me billborde dhe fotografi të kryeministrit Berisha, me mbi shkrimin, “Mirëserdhe Sali Berisha”. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i rezervuan një pritje madhështore kryeministrit, e cila u shoqërua edhe nga një interesim shumë i madh dhe i veçantë nga qytetarët shqiptarë atje. Nga opinioni shqiptar në Kosovë, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha shihet si lider i të gjithë shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, për faktin se që prej kohësh ka përmendur idenë e bashkimit dhe integrimit kombëtar, ka realizuar projektin më të madh të infrastrukturës Kosovë (Morinë) – Durrës, dhe veç të tjerash ka bërë shumë përpjekje duke lobuar ndërkombëtarisht për pavarësinë e Kosovës. Gjatë vizitës së tij, Berisha zhvilloi takime të veçanta liderët institucionalë të Kosovës, nga Presidenti Dr. Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe liderët e tjerë. Kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë kanë zyrtarizuar thellimin e bashkëpunimit ndërshtetërorë, duke nënshkruar radhazi gjashtë marrëveshje bashkëpunimi për fusha të ndryshme, ku në këtë rast kryeministri Sali Berisha ka thënë se Shqipëria e Kosova janë dy shtete të ndryshme, por një komb i pandarë, andaj edhe pritet vetëm thellim i bashkëpunimit. Pas takimit në Aeroportin e Prishtinës dhe një pritje të organizuar nga Garda e Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dy kryeministrat kanë zhvilluar takimin e tyre në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.


Kryeministri Sali Berisha takon në Prishtinë homologun e tij, Hashim Thaçi


Në vijim të vizitës në Kosovë, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në selinë e qeverisë. Kryeministri Thaçi u shpreh entuziast për vizitën e Berishës, duke e konsideruar personalisht kryeministrin shqiptar si “arkitektin e ndryshimeve të mëdha”. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u shprehën të gatshëm për intensifikimin e tyre në fusha më të gjëra, në të mirë të shqiptarëve në të dy anët e kufirit.  Kreu i qeverisë Sali Berisha, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij Thaçi, i shprehu këtij të fundit mirënjohjen e thellë, respektin më të madh dhe admirimin së pari për rolin dhe kontributin thelbësor në çlirimin e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në udhëheqjen e qeverisë së Kosovës, në një nga periudhat më historike për Kosovën. Berisha e falënderoi përzemërsisht për pritjen vëllazërore, por njëherazi, vlerësoi se në 20 muaj Kosova ka shënuar arritje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër. Shefi i ekzekutivit shqiptar, theksoi se në Kosovë po konsolidohet një sistem decentralizimi ndër më të mirët, ndër më të gjerët, i cili, absolutisht, do të prodhojë paqe, stabilitet dhe zhvillim dhe është një nga themelet e çdo demokracie. Në vijim, kryeministri Berisha vlerësoi edhe konsolidimin e traditës së zgjedhjeve të lirë në Kosovë. “Pra, kemi të bëjmë me disa zhvillime shumë të rëndësishme, në një kohë rekord të shkurtër, Kosova është njohur gjithashtu nga 62 vende të lira të botës e vende të tjera janë në proces e sipër, është anëtarësuar në dy institucionet më serioze financiare të planetit, institucione të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ekonomia e Kosovës është një ekonomi dinamike, e vogël, por që i rezistoi furtunës së përgjithshme financiare botërore”, theksoi kryeministri. Berisha përmendi dhe rolin e faktorit ndërkombëtarë, si një përparësi për Kosovën dhe popullin e saj dhe njëherazi një ndihmesë e madhe në drejtim të integrimit në NATO. Duke i’u referuar takimit me kryeministrin Thaçi, Berisha tha se “bëmë një bilanc të zhvillimit dhe të marrëdhënieve si midis dy vendeve tona, ashtu edhe me fqinjët tanë”. “Ne jemi dy vende me popullsi shumicë shqiptare. Ne kemi përgjegjësi të madhe të përcjellim mesazhin tek të gjithë fqinjët tanë se kanë dy miq të vërtetë në Shqipëri dhe Kosovë. Më erdhi jashtëzakonisht mirë me progresin që ka bërë Kryeministri në negociatat me Maqedoninë. Edhe marrëdhëniet tona me Maqedoninë dhe Malin e Zi janë marrëdhënie shumë të mira, të shkëlqyera dhe shoh me interes shumë të madh intensifikimin çdo ditë e më shumë të marrëdhënieve me Kosovën, me Malin e Zi, me Maqedoninë, por dhe shpresoj së shpejti edhe me Serbinë. Fobia nuk shërben ndaj askujt. Në histori kemi kaluar shumë gjëra të pamerituara, por kompleksiteti i saj na ka çliruar nga komplekset. Ndaj jemi të vendosur të punojmë për një klimë miqësore bashkëpunimi dhe integrimi rajonal”, nënvizoi kryeministri. Berisha e vlerësoi si një lajm të gëzueshëm për të gjithë shqiptarët vendimin e qeverisë së Kosovës për të ndërtuar autostradën Prishtinë-Vërmicë. Kryeministri cilësoi se gjatë këtij mandate, qeveria shqiptare do të ndërtojë autostradën tjetër Qafë Morinë-Shkodër, një pjesë e mirë është e ndërtuar, por pjesën tjetër të pandërtuar që është 34 kilometra, në mënyrë që Kosova perëndimore të ketë dalje më të shpejtë në det. Në këtë aspekt, Berisha dha garancinë se qeveria shqiptare, do t’i japë Kosovës në dispozicion të plotë portin e Shëngjinit. Një tjetër projekt i rëndësishëm, për kryeministrin Berisha, që pritet të konkretizohet në vitet ën vijim, është edhe ndërtimi i hekurudhës Shqipëri-Kosovë. “Vitin e ardhshëm do të nisë studimi i fizibilitetit dhe projektimi i hekurudhës që do të lidhë dy vendet tona. Ne do të kompletojmë hekurudhën me Maqedoninë, por do lidhemi edhe me Kosovën. Pozicioni i saj gjeografik është shumë i përshtatshëm për transportin hekurudhor nga portet tona, të cilat bëhen çdo ditë e më të rëndësishëm”, tha më tej Berisha. Në përfundim, kryeministri Berisha shtoi se e gjithë lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë e kudo është që të kapim orën europiane. “Ne kemi pasur problem të mëdha në të shkuarën, nuk kemi ndërtuar dot të ardhmen. Tani, ne jemi të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen. Kjo e ardhme ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë e të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon e kudo në botë”, u shpreh Berisha, duke shtuar se “ky qytet dhe ky vend, janë të vetmit në botë ku vij çdo ditë, me kënaqësinë më të madhe, po të kem mundësi”.  


Kryeministri kosovar Hashim Thaçi; “Sali Berisha arkitekti i ndryshimeve, realizuesi i projekteve ëndërr të integrimit të shqiptarëve”


“Sot, Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, realizuesin e projektit të ëndrrave të shqiptarëve, jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës”.  Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të kryeministrit Berisha, për çështjen shqiptare, ndihmesën e madhe në drejtim të promovimit të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit mbarë kombëtarë të shqiptarëve. Kryeministri Thaçi tha se jam i privilegjuar dhe emocionalisht i prekur thellë nga ndjenja e respektit për vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. “Ka shumë arsye të ndjehem kështu. Së pari, të takoj homologun tim nga Shqipëria si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multi-etnik, me vizion të qartë për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian. Kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën. Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Berisha, është vizita e parë në Kosovën e pavarur, prandaj, i nderuari kryeministër, mirë se keni ardhur në Kosovën e pavarur. Institucionet legjitime të Kosovës të mirëpresin, populli të mirëpret. Sot prita dhe Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, kryeministrin Sali Berisha, realizuesin e projektit të ëndrrave të qytetarëve, të shqiptarëve, në ndërtimin e autostradës Durrës – Morinë”, u shpreh kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës, deklaroi se shumë shpejt do të fillojnë punimet për ndërtimin e autostradës Morinë-Prizren-Prishtinë, duke iu bashkangjitur asaj Morinë-Kukës-Durrës. “Unë dua të besoj fuqishëm dhe ju ftoj qysh sot, që, siç e kishim përqafimin e ngrohtë në tunelin e Kalimashit, besoj që do ta kemi përqafimin e ngrohtë në ambient të hapur në Morinë, buzë bjeshkëve të Pashtrikut për vazhdimin e autostradës në drejtim të Morinës, Prizrenit dhe Prishtinës. Sot, prita edhe jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, kryeministrin Sali Berisha, kontribuuesin e madh për pavarësinë e Kosovës dhe në shenjë mirënjohje dhe respekti, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu do ta çmojë dhe do ta vlerësojë lartë me çmimin për Pavarësi në mënyrë meritore”, deklaroi më tej kryeministri Thaçi. Ai e falënderoi kryeministrin Berisha, për gjithë kontributin personal, të qeverisë shqiptare, të politikës së Tiranës, në mbështetje të forcimit të shtetit të Kosovës. “Ne po ndërtojmë shtet demokratik, me institucione funksionale, me demokraci të re, por të zhvilluar, të kultivuar, me respektimin në kuptimin më afirmativ të mundshëm të minoritarëve. Tani më jemi në  prag të organizimit të zgjedhjeve të para të  lira në Kosovën e pavarur. Është mjaft inkurajues certifikimi i shumë subjekteve minoritare dhe unë dua të besoj fuqishëm dhe po punojmë që edhe këtë provim të rëndësishëm, të parë jashtëzakonisht kuptimplotë, Kosova, partitë politike, institucionet, qytetarët, ta kalojmë me sukses të plotë”, theksoi Thaçi, duke përmendur se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë raporte vëllazërore. Sipas tij, “ky bashkëpunim i shkëlqyer mes dy qeverive tona është duke u thelluar çdo ditë në vazhdimësi dhe si rrjedhojë e këtij përkushtimi dy qeveritë tona, sot, nënshkruan Marrëveshje për lëvizje të ndërsjellë të shtetasve, Protokollin për qarkullimin në zonat kufitare; Marrëveshjen në fushën e doganave; Marrëveshjen e bashkëpunimit policor ndërkufitar; Marrëveshjen e ripranimit të personave më qëndrim të paligjshëm dhe Marrëveshjen e bashkëpunimit të administratës lokale”. “Këto marrëveshje rregullojnë  bashkëpunimin ndërshtetëror në fushat përkatëse, duke vendosur rregullat, të cilat do të respektohen nga shtetet tona”, vlerësoi kryeministri Thaçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›