Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë 6 marrëveshje për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh
Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të sot në mesditë gjashtë marrëveshje të rëndësishme, të karakterit politik dhe ekonomik që do të ndikojnë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjashtë marrëveshjet mes dy vendeve u nëshkruan në selinë e qeverisë së Kosovës, në Prishtinë, në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore që Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nisi sot në këtë vend, me ftesë të homologut të tij, Hashim Thaçi. Ato u nënshkruan pas takimit që dy Kryeministrat zhvilluan pa praninë e gazetarëve. Marrëveshja e lëvizjes së ndërsjelltë të shtetasve dhe protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, dhe ai i Kosovës, Thaçi, ndërsa marrëveshjet e tjera u nënshkruan nga anëtarë të dy delegacioneve, Shqipëri- Kosovë. Zbatimi i tyre pritet të thellojë jo vetëm bashkëpunimin mes dy vendeve, por do të lehtësojë për më shumë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe anasjelltas. Vizita e sotme e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në Prishtinë, e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, është konsideruar si një vizitë historike dhe e një rëndësie të veçantë dhe shihet si një mundësi e re për të shënuar progres në bashkëpunimin ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë.
Më poshtë vijojnë marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara sot mes Shqipërisë dhe Kosovës:
- Marrëveshja për Lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve.
- Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare.
- Marrëveshja në fushën e doganave.
- Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar.
- Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm.
- Marrëveshja e bashkëpunimit të Administratave lokale.
...