E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha - Ramës: Mos shpërndaj trakte për protestën

Berisha e krahason protestën e 20 Nëntorit, me atë të 4 Prillit. Sipas tij, praktikat e Ramës janë si pemë pa kokrra


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ironizoi dje liderin e opozitës, Edi Rama, duke thënë se ai duhet t'i bashkohet festës për vendimin e Bashkimit Evropian për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe jo të shpërndajë trakte në "Komunën e Parisit".


Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ku u miratua edhe programi buxhetor afatmesëm për vitet 2010-2012, Berisha i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste që të heqë dorë nga veprimet jo produktive.


Duke iu referuar thirrjes së opozitës për protestën e 20 Nëntorit, Kryeministri Berisha theksoi se ky nuk është roli,
që duhet të luajë opozita. Sipas tij, qëndrimi aktual i opozitës po i ngjason atij të 4 Prillit, ditë kur Shqipëria u pranua si anëtare e NATO-s, ndërsa opozita, sipas kreut të ekzekutivit, bënte miting-proteste.


"Edhe një herë, gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim, t'i lërë praktikat, të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra. Po më rikujton mitingun e datës 4 Prill, kur vendi anëtarësohej në NATO, bëhej miting proteste. Tani, në vend që të festojë, siç unë e ftova që të dalim së bashku ta përshëndesim këtë akt, shpërndan trakte te "Komuna e Parisit", - tha dje Berisha.


Sipas kreut të qeverisë, tani është koha për të bashkëpunuar në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrim që sipas Berishës e dëshiron çdo qytetar shqiptar. "Ky nuk është roli që duhet të luash në shoqëri.


"Komuna e Parisit" është arkivuar në histori me Gavrosh dhe San Kylo e të tjerë. Tani është periudha e idealeve evropiane dhe nuk ka ideale më të dëshiruara për çdo qytetar shqiptar.


Nuk mund të nxish në festë. Dhe kjo është festë. Si ky vendim, po ashtu edhe mesazhi i qartë për liberalizimin e vizave, që u dha dje në mbledhjen e ministrave të Brendshëm dhe nga Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Barrot", - u shpreh dje Berisha.


Reagimi i Kryeministrit Berisha erdhi pas deklaratës së Ramës dy ditë më parë, që theksonte se vendimi i Bashkimit Evropian për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ishte tejet i vonuar. Madje, sipas Ramës, Berisha duhet t'i kërkojë falje popullit për mosliberalizimin e vizave të Shqipërisë në hapësirën "Shengen".


Tonet e komunikimit politik midis liderit të mazhorancës dhe atij të opozitës janë ashpërsuar, që kur opozita vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj, për hapjen e kutive të votimit, me argumentin se zgjedhjet e 28 Qershorit janë të manipuluara.


Por, nga ana tjetër mazhoranca nuk lëshon pe në qëndrimin e saj për të mos hapur kutitë e votimit me justifikimin se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, ndërsa vazhdon t'i bëjë thirrje opozitës, që të futet në Parlament dhe të heqë dorë nga protestat.


************************

Reagon edhe Banka Botërore: Reformat duhet të vazhdojnë


Lohan: Luftoni korrupsionin, është problem serioz


TIRANË- Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore i bënë dje apel Shqipërisë që të rrisë luftën ndaj korrupsionit. Përfaqësuesi i Delegacionit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Helmut Lohan, theksoi se megjithëse vendi ka bërë progres, ai vazhdon që të ketë një shkallë të lartë të korrupsionit.


Duke iu referuar indeksit të perceptimit global të korrupsionit, të publikuar nga Transparency International, Lohan vuri në dukje se renditja e Shqipërisë në vendin e 95, është një lajm i keq për Shqipërinë dhe rajonin në tërësi.


"Indeksi vjetor i perceptimit global të korrupsionit, i publikuar dje nga organizata Transparency International është një lajm i keq për rajonin dhe për Shqipërinë", - tha dje ambasadori Lohan.


Duke sjellë në vëmendje Progres - Raportin e Bashkimit Evropian për zhvillimin e Shqipërisë që thekson se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz, Helmut Lohan u shpreh se masat e institucioneve, për të luftuar këtë dukuri janë të pamjaftueshme. "Korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz", - tha Lohan, duke iu referuar Progres - Raportit.


Ndërsa Drejtoresha e Bankës Botërore, Kamila Nuamah, lidhur me ecurinë e dobët të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit, tha se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit duhet që të çojnë më tej reformat e nisura.


Gjatë konferencës rajonale për reformat dhe biznesin në Evropën Juglindore, ajo theksoi se Shqipëria, por edhe vendet e rajonit, kanë një boshllëk të madh në kryerjen e reformave në terren në raport me ato që deklarohen. "Shqipëria dhe vendet e Ballkanit nevojitet që të thellojnë më tej reformat e nisura për të zhvilluar ekonominë, të përmirësojnë klimën e biznesit dhe të tërheqin investimet e huaja.


Askush nuk mund të mohojë se në të gjithë vendet e rajonit, ekziston një boshllëk ndërmjet reformave në letër dhe zbatimit të tyre në terren. Ky zbatim është e rëndësishme që të mbërrijë deri te sektori privat, në të gjithë territorin urban dhe rural të vendit, dhe me një liberalizim më të madh të ekonomisë", - theksoi Nuamah.


Reagimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian vjen pas reagimeve të shumta që pati nga ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Suedisë. Ambasadorët i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa për të ndryshuar këtë gjendje dhe për ta tregojë këtë me rezultate konkrete.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›