Luan Hoxha: Mediu "ndërtoi" Gërdecin
Ish- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm përsëriti dje, nëpërmjet avokatit të tij, se ish- Ministri i Mbrojtjes nuk u konsultua me Ushtrinë
Ministri aktual i Mjedisit, u akuzua se kishte zgjedhur ish- repartin e tankeve për të kryer demontimin e municioneve nga "Albademil"
TIRANË- Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Luan Hoxha, nëpërmjet avokatit të tij, akuzoi ish-ministrit e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe vartësit e tij pranë kësaj ministrie, si përgjegjës për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec dhe pasojat e ardhura prej saj.
Kjo akuzë erdhi dje në mesditë gjatë seancës së procesit për shpërthimin e Gërdecit, ku Hoxha është një nga 28 të akuzuarit. Në seancën e djeshme gjyqësore të tragjedisë së Gërdecit, togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë dëgjuan kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës, të cilët në seancën e kaluar nuk kishin arritur t'i parashtronin.
Në mesin e avokatëve mbrojtës që paraqitën pretendimet e tyre paraditen e djeshme ishin avokatët e të pandehurve Ylli Pinari, Ndue Marku, Dritan Minxholli e Luan Hoxha. Mbrojtësi i këtij të fundit, avokat Ibrahim Lahi, në parashtrimet e tija para gjykatës, fajësoi ish-ministrin e Mbrojtjes për të gjitha veprimet e kryera që nga ngritja e punishtes së demontimit në Gërdec e deri te pasojat e shpërthimit të saj.
Sipas avokatit Lahi, ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu, në të gjithë urdhrat e lëshuar dhe të firmosura prej tij në lidhje me aktivitetin e fabrikës së "ferrit" në Gërdec, ka anashkaluar Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
"Përzgjedhja e ish-repartit të tankeve në Gërdec për demilitarizimin e municioneve nuk është bërë nga Forcat e Armatosura apo Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, por nga vetë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që ka urdhëruar ndërtimin e fabrikës pikërisht në këtë vend",-nënvizoi avokati Lahi.
Duke iu referuar bazave ligjore në lidhje me kompetencat e Forcave të Armatosura, avokati iu kujtoi togave të zeza se nuk ishte kompetencë e Forcave të Armatosura të ruajnë ambientet e një kompanie private, konkretisht "Albademil"-in, që kishte marrë përsipër demontimin e municioneve të lehta e më pas të rënda.
"Nuk është detyrë e Forcave të Armatosura (FA) të ndërhyjnë e të kontrollojë një veprimtari private apo shtetërore që nuk ka të bëjë me pavarësinë e vendit, mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë apo ruajtjen e rendit kushtetues.
Detyra kushtetuese e FA ishte përcaktimi i sasisë së tepërt të municionit që nuk shërben për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit, heqja e tyre nga përdorimi dhe dërgimi pranë ndërmarrjes civile MEICO, e cila është e ngarkuar me administrimin e mëtejshëm të tyre.
Nuk është detyrë kushtetuese e FA të Shqipërisë, kontrolli i zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në ndërmarrjen private që ka marrë përsipër çmilitarizimin apo administrimin e produkteve që dalin nga ky proces",-nënvizoi avokati para gjykatës, duke përkufizuar se Hoxha ka zbatuar vetëm ato pikat që kishin të bënin me FA.
Në fund të pretendimeve të Hoxhës, avokat Lahi i kundërshtoi akuzat e prokurorisë, duke i cilësuar si të pa baza dhe në mungesë të provave që fajësojnë klientin e tij.
Po në seancën e djeshme gjyqësore, togat e zeza refuzuan kërkesën e të pandehurve: Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli, Juliana Margarita dhe kompanisë "Albademil" si person juridik për gjykimin e tyre në aplikim të procedurave të shkurtuar.
Edhe avokati i të pandehurit Dritan Minxholli, në fjalën e tij shpjegoi para gjykatës detyrat e klientit të tij në fabrikën e demontimit, si kontrolli i zbatimit të procedurave të punës, të tipit mos të lejohet pirja e duhanit, si dhe kontrollimi i kushteve të punës. Pas parashtrimit të këtyre pretendimeve, avokatët kërkuan shtyrje deri të premten për tu njohur me disa materiale të sjella nga prokuroria ndaj të pandehurit MIhal Delijorgji.
I pandehuri
Kërkon dëshmitarë Mediun, Alibeajn e Bumçin
TIRANË- Në seancën e djeshme gjyqësore, edhe i pandehuri Ndue Marku me detyrë ish-drejtor juridik pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në fjalën e tij kërkoi nga gjykata të thërrasë me cilësinë e dëshmitarëve në gjykatë tre deputetë të Partisë Demokratike.
"Kërkoj nga gjykata të thërras si dëshmitarë për të provuar pafajësinë time, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-anëtarin e Komisioneve të Ligjeve dhe Ministër të Drejtësisë, deputetin Enkelejd Alibeaj dhe ish-ministrin e Drejtësisë në kohën e ngritjes së fabrikës së Gërdecit, deputetin Aldo Bumçi"-tha i pandehuri Marku.
Sipas tij, "të tre këto persona me dëshmitë e tyre që do të japin para Gjykatës do të provojnë pafajësinë time",- ka përfunduar kërkesën i pandehuri Marku, duke kërkuar njëkohësisht edhe thirrjen e ekspertëve amerikane që ndihmuan në përcaktimin e shkakut të shpërthimit në ish-punishten e Gërdecit më 15 mars 2007.
***********************************************
Pinari kërkon pyetjen e të dyshuarve të denocnuar me një letër anonime në Ministrinë e Brendshme
Shpërthimi në Gërdec, nga minat me sahat
TIRANË- Edhe avokati i të pandehurit Ylli Pinari, që në seancat e kaluara kërkoi nga gjykata që procesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit shtetëror, dje pretendoi se shpërthimi i punishtes së demontimit në Gërdec ka ardhur si pasoj e një mine me sahat. "Shpërthimi i fabrikës në Gërdec nuk ishte aksidentale, por një.................................... kabotazh me minë me sahat.
Për të provuar këto pretendimet tona, kërkojmë nga gjykata të merren në pyetje personat që ndodhen në listën sekrete dërguar ministrit të Brendshëm për dyshimet ndaj personave që shkaktuan këtë shpërthim. Për këtë fakt, kërkojmë që gjykata të thërrasë me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, vëllain e të dënuarit me 25 vjet burg, Nehat Kulla.
Pasi në shkresën sekrete të Drejtorisë së Policisë përmenden disa emra mes tyre edhe vëllai i të dënuarit Kulla"-tha mbrojtësi i të pandehurit Ylli Pinari, avokati Vladimir Bineri. Ndërkohë, sipas prokurorisë, është hetuar edhe në këtë pistë, por që nuk ka rezultuar se ka ndonjë indice apo element të zjarr vënies së qëllimshme, kështu që ky pretendim, sipas akuzës, ka rënë.
*******************************
Kallëzimi i kërkon Gjykatës së Lartë nisjen e procedimit penal për Mediun i mbrojtur me imunitet deputeti
Dy padi për Mediun nga të plagosurit e shpërthimit
TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit, deputet Famtir Mediu, paditet penalisht pranë Gjykatës së Lartë nga dy të plagosurit e tragjedisë së Gërdecit, për akuzën e "plagosjes së rëndë nga pakujdesia".
Sipas padive penale që pasditen e djeshme u depozituan në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë, dy të dëmtuarit nga ky shpërthim, i mituri Roxhers Durdaj, që përfaqësohej nga babai i tij dhe Alketa Hazizaj kërkojnë nga Gjykata kompetente për gjykimin e personave me imunitet të fillojë procedimin penal ndaj ish-ministrit Mediu.
Sipas padisë ish-ministri Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre për ngritjen e punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec.
"ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka mundësuar ndërmarrjen MEICO-së dhe kompanitë SAC dhe "Abademil", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces.
Gjithashtu ka shpërfillur të gjitha standardet e sigurisë dhe zbatimit të rregullave gjatë këtij procesi, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish-ministrit Mediu, duke shmangur Forcat e Armatosur nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit që do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake"-thuhet në padi. Sipas tyre, të gjitha këto kanë sjellë për pasojë shpërthimin e fabrikës së Gërdecit, që ka sjellë dëmtime të rënda ndaj dy paditësve penale, të miturit Roxhers Durdaj dhe Alketa Hazizajt.
"Plagosjet përbëjnë vepër penale, dhe sipas legjislacionit procedural penal nuk ndiqen nga prokuroria, por ndiqen me kërkesë të vetë të dëmtuarit. Ndaj ne vendosëm t'i drejtohemi gjykatës për të vënë në lëvizje.
Është në të drejtën e të dëmtuarve të kërkojnë hetim dhe gjykim të çështjes dhe deklarimin e fajtorëve nga gjykata. Për këtë çështje të dëmtuarit i drejtojnë gishtin e akuzës deputetit Fatmir Mediu pasi kanë qenë veprimet e tij që kurdisi minën me sahat që plasi në Gërdec dhe që krijoi terrenin për situatën kaotike që herët a vonë do të gjente fundin tragjik që gjeti"-tha avokati i dy paditësve, Dorian Matlija pas dorëzimit të padisë.