E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, ftesa qytetarëve për protestën e 20 Nëntorit

Kryetari i opozitës ftoi dje qytetarët e rrugës "Komuna e Parisit" që t'i bashkohen protestës së 20 Nëntorit, që do të zgjasë tre ditë


TIRANË- Shumë prej banorëve të rrugës "Komuna e Parisit" në Tiranë morën personalisht ftesa dje nga kryetari i opozitës, Edi Rama, për të marrë pjesë në protestën e 20 Nëntorit, e cila pritet të zgjasë plot tre ditë.


Në një rrugëtim derë më derë në këtë zonë të kryeqytetit, Edi Rama, në bashkëbisedim me qytetarë të ndryshëm u ka kërkuar atyre që të bëhen pjesë e protestës së opozitës në 20 nëntor. Gjatë takimeve spontane të zhvilluara me qytetarë të ndryshëm, Rama e ka cilësuar demagogji të paturpshme deklaratën e kryeministrit Berisha, kur mohoi kontributin e opozitës për anëtarësimin në NATO.


"Me paturpësinë më të madhe, sot Sali Berisha po mohon rolin historik të opozitës, ndërkohë që edhe në NATO do të kishim hyrë më përpara, nëse Sali Berisha nuk do të ishte bërë pengesë me shembjen e shtetit gjatë pushtimit të parë të Republikës", tha dje Rama.


Për këtë arsye, kryetari i opozitës shtoi: "Sot unë jam këtu, për t'i kërkuar personalisht qytetarëve e qytetareve të Tiranës, të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë; të gjithë ata që duan të kenë të drejta të barabarta me pinjollët e familjes në pushtet dhe me kryefamiljarin që e ka kthyer qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një mjet për pasurimin e tij; të gjithë bizneseve, që nuk duan të falimentojnë në janar, për shkak të kalimit arbitrar si biznes i madh nën regjimin e taksave të papërballueshme; të gjithë të papunët; të gjithë mësuesit; të gjithë mjekët; të gjithë ata që konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë në këtë vend; të gjithë ata që sot nuk e gjejnë te Maliqi të drejtën, që u ka dhënë ligji; të gjithë shqiptarët e shqiptaret, që më 20 nëntor, pasdite në sheshin "Skënderbej", kanë të gjitha arsyet e Zotit dhe të ligjit, për t'i rezistuar këtij pushteti të korruptuar që po e zhyt përditë Shqipërinë në një zullum".


Zullum, që sipas kryetarit të opozitës, reflektohet edhe në listën e publikuar nga TIA, ku Shqipëria radhitet pas Ugandës, e Ruandës për nivelin e korrupsionit. "Të një korrupsioni dhe një diktature të pushtetit të parasë dhe të parasë së pushtetit, model që ne e refuzojmë dhe do ta shpërbëjmë me çdo mjet dhe me çdo çmim", - shtoi ai.


Ditën e premte, e gjithë opozita pritet të jetë në shesh, ku ndryshe nga herët e tjera, protesta do të zgjasë pa ndërprerje plot tre ditë rresht. Pritet që protestuesit të qëndrojnë në shesh, me radhë, duke ia lënë stafetën njeri-tjetrit, ndërsa gjatë natës do të strehohen në çadra. Bashkë me ta, në çadra do të qëndrojnë edhe deputetët.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›