E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plasin ujërat e zeza në shkollën 9-vjeçare

DURRËS - Pavarësisht se ka vetëm dy vjet që është ndërtuar, shkolla "Neim Babameto" rrezikon të mbyllet


Drejtori Mark Laska shprehet se përveç kanalizimeve, tavani në katin e katërt ka filluar të bjerë

Durrës - Shkolla 9-vjeçare "Neim Babameto" në lagjen Spitallë të qytetit të Durresit rrezikon të mbyllet 2 vite pas përfundimit të ndërtimit të saj. Funksionimi normal për nxënësit dhe mësuesit rrezikohet pasi kushtet e saj higjieno-sanitare janë përkeqësuar së tepërmi.


Ujërat e zeza kanë shpërthyer disa herë dhe era e rëndë e ujërave të zeza shpërndahet gjithandej, me gjithë kujdesin e vazhdueshëm të personelit të shërbimit që rrinë me kova në dorë. "Ujërat e zeza shpërthejnë në korridore, - thotë pastruesja, - dhe në këtë shkolle me 1500 nxënës kjo kuptohet lehtë se çfarë gjendje e rëndë që është".


Drejtori i kesaj shkolle, Mark Laska, thotë se ka marrë edhe një vendim nga Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë për mbylljen e shkollës në një afat të pacaktuar.


Sipas tij, situata në këtë shkollë është e "nderë" edhe për faktin se kanalizimet, që janë ndërtuar jashtë standardeve bashkëkohore, kanë bërë që ujërat e zeza të pushtojnë të gjithë katin e parë, brenda shkollës, duke e bërë të pamundur hyrjen e nxënësve në klasat e tyre.


Laska thotë se përhapja e epidemive është një rrezik i madh në këtë gjendje që është krijuar, dhe asnjë masë nuk është marrë nga asnjë strukturë e pushtetit lokal apo drejtoria e Arsimit në Durrës. "Kemi dërguar me dhjetëra ankesa zyrtare për të ndërhyrë para se të pezulloj mësimin, - thotë Laska, - por nuk i është dhënë asnjë zgjidhje problemit".


Ai flet me nota pesimizmi mbi gjendjen duke mos parë rrugëzgjidhje. "Shkolla ka rrezik të shembet në katin e katërt të saj dhe shenjat e para janë dhënë me rënien e suvasë. Situatën e kemi përcjellë edhe në drejtorinë e Arsimit, por na kanë thënë që është përgjegjësi e pushtetit lokal. Ta mbyllim shkollën, por ku t'i çojmë 1350 nxënës për mësim?! Ndërsa në këtë situatë nuk mund të zhvillohet normalisht mësimi", vijon Laska.

Mësohet se shkolla është ndërtuar e re me një investim prej 900 milionë lekësh, por nuk është marrë në dorëzim nga ana e drejtorit të saj, për shkak të mangësive që ka pasur. Sipas Laskës, në shkollë asgjë nuk funksionon normalisht, duke përfshirë këtu edhe çelësat e dritave, ndërsa kanalizimet e kanë dhënë tashmë "frutin" e tyre.


"Nga bashkia e Durrësit kemi edhe presionin e madh që të marrim në dorëzim shkollën pas përfundimit të punimeve, por në këtë situatë unë nuk do të bëhem bashkëpunëtor në vjedhjen e fondeve",- përmbyll i shqetësuar drejtuesi.


Ndërkohë, kati i parë i shkollës tashmë është i boshatisur dhe nxënësit bëjnë mësim në katet më lart, pa ditur se deri kur do të vijojë ky problem. Duke marrë parasysh epideminë e gripit, nuk është çudi që kjo shkollë të jetë një nga shembujt e parë të sëmundjes në total të nxënësve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›