E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Engel:Vendi, i përgatitur për të përballuar krizën ekonomike

“Shqipëria është e përgatitur për te përballuar situatën dhe efektet e krizës ne hapësirën evropiane dhe rajonale”. Kjo është deklarata që ka bërë Frank Engel, anëtar i Komitetit te Punës dhe të Çështjeve Sociale, si dhe anëtar i Komitetit Special për Krizën Ekonomike, Financiare dhe Sociale në Parlamentin Europian, gjatë takimit të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha.

Gjatë takimit, kryeministri Berisha, e njohu Engel me zhvillimet ekonomike të vendit. Kryeministri theksoi se programi i ndjekur nga qeveria shqiptare ka pasur si prioritet vendosjen e nivelit më të ulët të taksave në Europë, si dhe zvogëlimin e masës së shtetit nëpërmjet zvogëlimit të administratës dhe kryerjen e reformave me qëllim përmirësimin e eficencës së qeverisjes. "Reformat fiskale si dhe ulja e informalitetit, kane bërë të mundur që qeveria shqiptare gjate viteve 2006 – 2011 të realizojë një rritje të të ardhurave më shumë se 7.2 miliard dollarë apo 2.5 buxhete më shumë se në të njëjtën periudhë të qeverisjes së mëparshme, të ardhura këto, që bënë të mundur ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 9 mijë km rrugë dhe se me kompletimin e brenda dy viteve të rrjetit të ri rrugor, shqiptarët do vijnë nga çdo skaj i vendit në kryeqytet duke kursyer më shumë se 60% të kohës, që u duhet aktualisht”, tha Berisha

Berisha theksoi se këto të ardhura bënë të mundur të rriten me 120 % rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve si dhe punonjësve të tjerë, si dhe modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe shumëfishimin e investimeve. Nga ana tjetër Berisha vlerësoi se reformat strukturore, në fokus të të cilave ka qenë heqja dhe zvogëlimi i licensave, i pengesave administrative, te lejeve, informatizimi i procedurave të prokurimit, të administrimit fiskal, të regjistrimit të biznesit, kanë mundësuar lehtësimin si dhe nxitjen e investimeve të huaja dhe vendore. “Në 4 vjet Shqipëria ka patur një rritje ekonomike prej 18% dhe një rritje të investime të huaja direkte me 316% dhe gjatë 4 viteve të marra së bashku, 2006-2011, eksportet e vendit të jenë trefishuar duke bërë të mundur që modeli ynë ekonomik ti rezistoi krizës”, tha Berisha. Kryeministri ka folur dhe për nxitjen e investimeve. Ai u shpreh se masat janë mbështetur me reformën e ligjit të koncesioneve që ka mundësuar thithjen e investitorëve në sektorë të ndryshëm si atë të shfrytëzimit te mineraleve, te energjisë, te bujqësisë, etj ku vetem ne sektorin e energjisë jane firmosur 110 kontrata të nënshkruara nga qeveria per ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve, nga të cilat, 73 kanë filluar nga ndërtimi. Engel e falenderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe paraqitjen e reformave te qeverise shqiptare gjate kësaj periudhe. Zoti Engel vlerësoi arritjet e qeverise shqiptare, si dhe angazhimin e vendit tonë në rrugën e integrimit europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›