Berisha në Kukës: Jo gjendje e jashtëzakonshme

Kryeministri Berisha së bashku me 6 minista të kabinetit të tij kanë mbërritur sot në Kukës për të parë nga afër situatën e rënduar në këtë qark. Shefi i qeverisë ka mbledhur sot shtabin e emergjencave në prefekturën e Kukësit ndërsa në mbledhje marrin pjesë edhe ministri i brendshëm, i shëndetësisë, i arsimit, i mbrojtjes, i mjedisit dhe ministri i transporteve.
Kryeministri Berisha nuk ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke theksuar se kjo do të ndodhë nëse situata përkeqësohet më tej. Ai ka falenderuar edhe banorët për solidaritetin e treguar në këto ditë të vështira ndërsa ka shtuar se do të merren masa për zhbllokimin e rrugëve nga dëbora si dhe furnizimi I banorëve të izoluar me ushqime.
Ndërkohë përkeqësimi i motit dhe ulja e temperaturave ka bërë që shumë zona të thella në veri të vendit të izolohen nga dëbora e dendur e cila në disa komuna arrin deri mbi 2 metra.
Reshjet e dendura të dëborës që nuk janë ndërprerë që prej 48 orëve të fundit kanë izoluar komuna të shumta në Kukës, Pukë, Dibër, Bulqizë ku banorët e shumë fshatrave telefojnë në numrin e telefonit të publikuar nga RTV “Ora News” 0694031600 për të kërkuar ndihmë.
65 familje në komunën Ostren të Bulqizës dhe familje të tëra në Pukë, Kukës dhe Tropojë rezultojnë të izoluara nga dëbora e madhe ndërsa bëjnë apel për ndihmë pasi u kanë mbaruar edhe rezervat ushqimore dhe kanë mungesë edhe të ujit të pijshëm.
Banorët theksojnë se nuk mund të lëvizin dot nga dëbora e madhe, ndërsa shtojnë se banesat e tyre rrezikohen edhe nga shembja nga dëbora.
Prej 12 ditësh e gjithë Shqipëria e në veçanti veriu e verilindja e saj po kalojnë një situatë të jashtëzakonshme, të papërjetuar prej shumë vitesh. Që prej ditës së djeshme problemet nga moti i keq kanë prekur edhe juglindjen e vendit. Krahas bllokimit të rrugëve në disa komuna të vendit po jepet alarmi për mungesën e ushqimeve.