Berisha- Erdohan: 1 miliard $ investime në Shqipëri
Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Turqi , kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një konferencë të përbashkët me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan. Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve Erdogan theksoi se do të tentohet në bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha fushat, ndërsa garantoi mbështetjen e investimeve turke në vendin tonë. Sa i përket projektit të konsorciumit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i cili parashikon që gazsjellësi të hyjë në Greqi nga kufiri me Turqinë, të kalojë në Shqipëri për të dalë në Itali, Erdogan ka theksuar dhe një herë se Azerbajxhani mban peshën kryesore në këtë projekt, por theksoi ai, Turqia dëshiron të ketë bashkëpunim si me Italinë ashtu dhe me Shqipërinë lidhur me këtë projekt.
“Falenderoj kryeministrin Berisha mikun e shtrenjtë. Shqipëria është aleati strategjik në Ballkan. Vizitat e ndërsjellta kanë ndikuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona. Gjatë takimeve kemi shqyrtuam tema ekonomike , ushtarake , etj. Vlera e tregëtisë me Shqipërinë është 400 milion $. Investitorë turq vijojnë investimet në Shqipëri, synojmë që investimet të kalojnë masën e 1 miliard dollarëve. Edhe në turizëm shpresojmë të ketë më tepër zhvillime. Uroj 100 vjetorin e pavaresisë, marrëdhëniet mes dy vendeve do të vijojnë”tha ai.
Nga ana e tij kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen 100-vjecare të shtetit turk, vecanërisht kontributin e saj në 20 vite postkomunizëm dhe rolin kyc në integrimin e Shqipërisë në NATO. Duke vlerësuar rolin e Turqisë në stabilitetin e Ballkanit, Berisha theksoi Turqia ka dhënë ndihmesë të madhe në njohjen e Kosovës, ndërsa vlerësoi dhe qëndrimin e tij lidhur me Sirinë. Më tej Berisha shprehu mbështetjen e plotë të kandidaturës së Turqisë në Këshillin e Sigurisë.
“Kam ardhur me ftesë të kryeministrit Erdogan, në një vizitë që koncidon me 100 vjetorin e pavarësisë, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100-vjecare për liri dhe dinjitet kombëtar. Ftova Erdogan për një vizitë në Shqipëri në kuadër të 100-vjetorit. Falenderoj mbështetjen e Turqisë në 20 vite post komuniste. Turqia ndihmë të vecantë në anëtarësimin në NATO. Takimet kanë qenë shumë të shpeshta , nga 2005 deri sot janë rritur 9 herë. Firmosëm marrëveshje të rëndësishme, por janë me dhjetëra të tjera që përbëjnë kuadrin e bashkëpunimit të shkëlqyer ligjor, kemi bashkëpunim të shkëlqyer në arsim, shëndetësi, siguri dhe rend publik, investime etj. Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit. Turqia ka qenë mbështetëse kryesore në njohjen e Kosovës. Shpreh admirimin Erdogan në qëndrimin ndaj cështjes së Sirisë. Urojmë që Samiti i Stambollit të jetë një shtytje e re për përfundimin e një kalvari shtypës. Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë për Këshillin e Sigurimit”.
Përfaqësues nga Ministritë e Jashtme të dy vendeve nënshkruan marrëveshjet “Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin midis Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë” dhe “Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Arkivave midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë”.