Berisha : Opozita mos fshihet njësoj si dosjet, të votojë ligjin që sjell drejtësi

Kryeministri Berisha në fjalën e tij gjatë seancës plenare ku pritet të votohet ligji i dosjeve u shpreh se "Ligji i dosjeve nuk është ligj për hakmarrje, por ligj për ti dhënë drejtësi të shkuarës. Duke ironizuar dhe akuzuar opozitën për mos prezencën në seancë kryeministri deklaroi se,"Opozitarët mungojnë sepse nuk flasin dot, nuk shtypin dot butonin sepse i shoqërojnë dhjetëra mijëra viktima të së shkuarës. PS-ja nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për viktimat e komunizmit. Nuk mund ti iket në këtë mënyrë historisë, o burracak dhe frikacakë. Opozita fshihet njësoj si dosjet". Sipas Sali Berishës, "Ligji i dosjeve legjitimon bazën, prejardhjen e opozitës, lidhjen e tyre me mijëra fije me aparatë të kobshëm të diktaturës, që e shndërroi Shqipërinë në vendin e dhunës më mizore". Berisha theksoi se "Akuzat e PS-së reflektojnë përjekjen e tyre për tu fshehur. Nuk kanë kurajo ti thonë lamtumirë të shkuarës". Kryeministri bëri thirrje që të votohet ligji. "Ju ftojmë ta votojmë ligjin që të vëmë drejtësi, drejtësi për ata viktima, në ato qindra mijëra familje shqiptare që kaluan dhjetra vite mungesë lirie, sëmundje dhe tmerri. Nuk ka ligj të përsosur , ky ligj i bën shërbim të madh këtij vendi", përfundoi Berisha.