Financat ruajnë paratë e Armo-s për krizën ekonomike 2009

Nga Rajmonda Lajthia/NOA
Tiranë, 22 dhjetor 15:02 NOA - Frika nga kriza ekonomike e cila do të ndjehet në fillim të vitit 2009 ka detyruar Ministrinë e Financave që të ndryshojë skemën e përdorimit të parave nga privatizimet.
Deri më tani fondet nga shitja e aseteve publike janë përdorur për investimet publike dhe reduktim të borxhit publikë.
Por një pjesë të shumës prej 125 milionë euro nga shitja e kompanisë së naftës “Armo”, Ministria e Financave do ta lërë rezervë për tremujorin e parë të vitit 2009, kohë kur kriza të japë efektet negative në ekonominë tonë.
Sipas ministrit të financave Ritvan Bode, janë lënë rezervë rreth 600 milionë lekë vetëm për t’i hedhur në treg në rast nevoje.
Ky fakt sipas Bodes do të bëjë që rritja ekonomike të mos bjerë dhe efektet negative të minimizohen. Ai i bëri sërish apel bankave që të vijojnë me kreditimin e ekonomisë. Gjatë diskutimit të Aktit Normativ në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, opozita kritikoi ashpër Ministrinë e Financave, e cila sipas saj nuk i ka bërë transparente paratë e përfituara nga privatizimet.
Sipas deputetit Arben Malaj, ministria po shkel Kushtetutën duke mos i pasqyruar në buxhet të ardhurat nga privatizimet.
Por Bode i është përgjigjur se paratë nga shitja e “Armo”-s nuk nevojiten këtë vit, por do të përdoren vitin tjetër.
Komisioni Kuvendor i Financave miratoi Aktin Normativ 2008, vetëm me votat e mazhorancës.
Opozita e cilësoi këtë akt si një korrigjim që i bëhet buxhetit të shtetit për të treten herë. Ndërsa financat e paraqesin si sukses të mbledhjes së të ardhurave.
Akti Normativ rishpërndan 12 miliardë lekë, para të pashpenzuara nga fondet e kontigjencës por edhe nga investimet e pa kryera.
Nga këto para 2.7 miliardë lekë do t’i jepen KESH-it për të siguruar energji elektrike, 2.7 miliardë do të marrin shpërblim pensionistet dhe buxhetorët, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për financimin e projekteve madhore në infrastrukturë.
Akti Normativ pritet të miratohet në Kuvend brenda ditëve të mbetura të këtij viti.
r.l/NOA