Berisha- Rama ne tryeze, Topi takon sot Bochardt
TIRANE- . Presidenti Bamir Topi pritet të vazhdojnë sot takimet me përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare në Tiranë për tryezën e të shtunës ku do vihen përballë njëri tjetrit dy kundërshtarët politikë kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS Edi Rama. Burime nga presidenca bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme kreu i shtetit do të zhvillojë takim me ambasadorin e Gjermanisë Bernard Bochardt. Burimet pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se presidenti do të diskutojë me të për detajet e tryezes politike, por edhe për vizitën e tij të ardhshme zyrtare në Gjermani, e cila do të zhvillohet në muajin prill. Thirrja sa më parë e një tryeze politike ishte një ndër pikat kryesore të rezolutes që Këshilli i Europës miratoi më 28 janar. Në rezolutë, mbështetej kreu i shtetit për të gjetur zgjidhje nëpërmjet dialogut për zhbllokimin e situatës në vend. Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë do të zhvillohet të shtunën më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit. Në faqen zyrtare të presidencës theksohej se takimi zhvillohej në në vijim të takimeve me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me Ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. (s.g/BalkanWeb)