Rama sot në Fier, vijon turi shpjegues i protestës
TIRANE- Kryetari socialist, Edi Rama vijon sot turin e tij për të shpjeguar arsyet e protestës së PS-së me gazetarët dhe anëtarët e PS-së në qytetin e Fierit. Rama e ka bërë të qartë tashmë se ky tur zhvillohet në një kohë që ende nga ana e maxhorancës nuk ka asnjë përpjekje për të pranuar kërkesën kryesore të opozitës, por edhe në pritje të tryezës së dialogut tek Presidenti i Republikës. Në këtë mënyrë opozita shtyu protestat, të cilat tanimë do të jenë në varësi të bisedimeve mes palëve ditën e shtunë. Edhe në këto takime, të konceptuara si konferenca shtypi, por me prani të anëtarëve dhe deputetëve socialistë në salla të mëdha, Rama ka shpjeguar se arsyeja kryesore e protestave të PS-së është mospranimi i kërkesës së PD-së dhe kryeministrit Berisha për të hapur kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2008. Megjithatë, në deklaratat e tij të mëparshme, Rama ka bërë të ditur se protestat nuk do të jenë në varësi të dialogut, pasi ato do të jenë edhe për të kundërshtuar krizën ekonomike që ka kapluar vendin nga keqqeverisja e Berishës. Strategjia e protestave dhe data e rinisjes së tyre nuk është vendosur ende.