Burg përjetë për vrasësin e emigrantit shqiptar, 93 vite për 7 bashkëpunëtorët
ITALI - Dënimin me burgim të përjetshëm ka marrë Bledar Sallufi nga Peqini për vrasjen rreth dy vjet e gjysmë më parë e të riut Benard Kozarja nga Elbasani, kurse dënime deri në 26.5 vjet burgim kanë marrë katër anëtarët e tjerë të grupit kriminal që i mori jetën emigrantit shqiptar. Elton Xhoxhi, 26 vjeç, nga Elbasani, u dënua me 26 vjet e gjysmë burgim; Erion Gjahtari, 22-vjeçar, nga Vlora, me 25.5 vjet burg; Lejdi Shalari, nga Vlora, me 20 vjet; si dhe Juljan Çela, 26 vjeç, nga Lushnja, me 18 vjet heqje lirie. Ndërkaq, janë dënuar me nga një vit burg dhe tre shqiptarë të tjerë, të cilët akuzuan se kanë ndihmuar vrasësit të largohen pas ekzekutimit. Ata janë 28-vjeçarët Sajmir dhe Julis Gripshi, të dy nga Peqini, dhe 25-vjeçari Albjon Hasanaj. Ngjarja që i mori jetën Benard Kozares ndodhi më 12 tetor 2007 në provincën e Viçencas Rettorgole kur pesë personat e mësipërm hapën zjarr duke ekzekutuar me dy plumba emigrantin elbasanas. Në fakt, vendimi për Sallufin dhe të tjerët ishte marrë një vit e gjysmë më parë, kurse mbrëmë nga Gjykata e Viçencës ka përfunduar procesi dhe janë konfirmuar kështu dënimet për të tetë shqiptarët e akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Kozares. Gjykatësi Massimo Gerace dhe 10 anëtarët e tjerë të jurisë gjyqësore kanë vendosur përfundimisht dënimin e këtyre personave, të cilët u akuzuan se janë përfshirë në masakër, në bashkëpunim me Bledar Sallufin, i cili tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Djali 26-vjeçar nga Elbasani, Benard Kozarja, kishte tetë vite që jetonte në Viçenca të Italisë, konform rregullave dhe ligjeve italiane. Ngjarja e ndodhur më 12 tetor 2007 në Viçenca, vuri në lëvizje të gjithë policinë e kësaj zone, e cila pak minuta pas ngjarjes mundi të identifikojë autorët, madje njërin prej tyre arriti ta plagosë. Tashmë që mbi çështjen e vrasjes së Benard Kozares gjithçka është zbardhur e vetmja, gjë që duket se shqetëson ende Policinë italiane është çështja e arrestimit të Bledar Sallufit, i cili, dhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm në shtetin italian, ende nuk po arrestohet nga Policia shqiptare. Mediat italiane shprehen se zyrtarë të Policisë së Viçencës kanë informacione të sakta se vendndodhja e personit më të kërkuar në zonën e Venetos jeton dhe strehohet në Shqipëri.
Vetëplagoset me armën e punës polici
KORÇË – Një efektiv i Policisë së Korçës është vetëplagosur me armën e punës në rrethana aksidentale gjatë natës të së premtes. Sipas burimeve zyrtare mësohet se 44-vjeçari Dervish Meko, ka qëlluar veten me armë në banesën e tij, ndërsa policia po heton për një ngjarje aksidentale, si dhe mundësinë e një akti vetëvrasje në tentativë. Pas trajtimit në urgjencën e Spitalit të Ersekës dhe më pas në Korçë, efektivi i policisë është dërguar në Spitalin ushtarak të Tiranës për mjekim nga plagët e marra. Efektivi i policisë i vetëplagosur me armën e shërbimit, sipas burimeve nga Policia e Korçës, është punonjës i sektorit të kufirit. Ai e ka kryer aktin e vetëplagosjes në një kohë kur ka qenë jashtë orarit të shërbimit. Gruaja e efektivit të policisë ka thënë gjatë dëshmisë së saj se i shoqi nuk ka pasur mosmarrëveshje apo konflikte qoftë në punë apo edhe me persona të tjerë.
Sherri mes dy personave, një i arrestuar
KRUJË - Sherri midis dy personave ka degjeneruar deri në të shtëna me pistoletë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në fshatin Mukje, Krujë, ku pas një konflikti të çastit me shtetasin H. Z., në afërsi të banesës së tij, 38-vjeçari Sajmir Çangu ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistolete. Pas ngjarjes, Sajmir Çangu është larguar duke iu shmangur hetimit, por arratia nuk ka zgjatur shumë sepse mesditën e djeshme policia konfirmoi arrestimin e 38-vjeçarit, lindur e banues në fshatin Nikël, rrethi Krujë. Të dyshuarit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale është bllokuar një armë zjarri tip pistoletë model 54 e cila mendohet të jetë përdorur nga 38-vjeçari.
Pranga dy shqiptarëve shpërndarës droge
ITALI – Vihen në pranga dy shqiptarë pasi iu gjetën 80 gramë kokainë në garazh. Policia italiane bën të ditur se ka arrestuar 29-vjeçarin H. S. dhe 30-vjeçarin P. C., që të dy nga Shqipëria, të cilët ishin të pajisur me leje të rregullt qëndrimi në shtetin italian. Sipas hetimeve rezulton se dy të ndaluarit njiheshin si shpërndarës të kalibrit të mirë. Policia italiane, prej disa kohësh ishte në vëzhgim të tyre dhe vetëm dy ditë më parë i arrestoi ata në flagrancë në ambientet e garazhit të tyre, ku iu sekuestrua dhe një sasi prej 80 gramësh kokainë, e cila ishte e ndarë në doza dhe ishte gati për shitje. Gjatë kontrollit në banesën e tyre janë sekuestruar dhe 8 mijë euro, të cilat dyshohen se vijnë nga shitja e drogës.
Bllokohen 15 kg marijuanë, pranga transportuesit
TIRANË - Bllokohen 15 kg marijuanë, arrestohet Alfred Tufa. Policia e kryeqytetit njofton se ditën e djeshme ka arritur të sekuestrojë një sasi prej 15 kg marijuanë dhe ka vënë në pranga transportuesin e saj, Alfred Tufa. Sasia e marijuanës së sekuestruar ishte e paketuar në 14 pako të presuara. Grupi hetimor është duke shqyrtuar të gjitha pistat e transportit të kësaj sasie lënde narkotike, për të hedhur dritë mbi pikën e nisjes dhe destinacionin e saj përfundimtar. Ndërkaq, personi që posedonte këtë sasi marijuanë është duke u marrë në pyetje për të nxjerrë në dritë detaje të tjera mbi këtë trafik lënde narkotike.
8 Shkurt 2010