Berisha : Rama të puthet me Ramizin, por mos bllokojë rrugët
Kryeministri Grevën e urisë e drejtojnë bllokmenët
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, denoncoi dje praktikën e fundit të kryesocialistit Edi Rama për bllokimin e rrugëve të Shqipërisë, ndërsa i kujtoi se teksa ai takohet me Ramiz Alinë, PD-ja po i afron gjithnjë e më shumë shqiptarët me BE-në. Me akuzën se grevën e urisë e drejtojnë ish-bllokmenët, Berisha i bëri dje thirrje kryesocialistit Edi Rama që të mos lëndojë qytetarët dhe të mos bllokojë rrugët e Shqipërisë. Duke marrë pjesë në një sërë përurimesh në Bashkinë e Kamzës, Berisha theksoi mbrëmë se rrugët janë të qytetarëve dhe se askush nuk mund ta mendojë se mund të ndëshkojë qytetarët, duke dalë në rrugë. Berisha, duke iu referuar grevës së urisë të socialistëve, theksoi se do të zbatojë çdo të drejtë kushtetuese që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre. "Unë i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos buzëqeshin se ne demokratët e kemi vendosur të ecim drejt Evropës", - theksoi Berisha. Kryeministri Berisha, duke folur përpara banorëve, theksoi se garanton që qeveria do të bëjë çdo investim për ta shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. "Para pak çastesh ne inauguruam rrugën që mban emrin e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, heroi të lëvizjes studentore, Azem Hajdari, - theksoi Berisha, duke shtuar se një investim i rëndësishëm është edhe sistemi modern i kanalizimeve dhe autostradën që lidh Kamzën me Urën e Tapizës. I kërkoj zotit Edi Rama, duke e respektuar protestën që ai ka nisur, të mos tentojë të mundojë qytetarët duke u dalë para rrugëve. Le të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, se ky është rregull, - deklaroi z. Berisha. Duke u ndalur në bllokimin e rrugëve nga protestuesit socialistë, një dukuri kjo e përsëritur dy ditët e fundit prej tyre në shumë akse të rëndësishme të vendit, kreu i qeverisë tha se një gjë e tillë është e palejueshme. Rrugët janë të publikut, ato janë të qytetarëve dhe askush nuk mund ti zaptojë, - deklaroi z. Berisha. Ndërkaq, duke i quajtur bllokmenë ata që drejtojnë grevën e opozitës, Berisha u shpreh se ata takohen me Ramiz Alinë, në një kohë që demokratët janë për çuarjen e vendit drejt Evropës. Keni bërë çkeni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë njëri-tjetrin, ne demokratët jemi për vajtjen drejt Evropës, - u është drejtuar ai socialistëve, duke i barazuar me komunistët e djeshëm gjatë fjalës së tij. Në fund, ai e mbylli çështjen e protestave të opozitës duke deklaruar qartë: Do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë dhe se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë dhe të drejtën e protestës paqësore. Këto deklarata, Kryeministri Sali Berisha i beri gjatë përurimit pasditen e djeshme të tri investimeve të rëndësishme që kapin vlerën e mbi 1000 milionë lekëve. Pasditen e djeshme, kreu i qeverisë mori pjesë në përurimin e punimeve të rrugës Azem Hajdari në Bathore me vlerë 28 milionë lekë. Më pas, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të KUZ Frutikulturë me fondet DPUK me vlerë 38 milionë lekë. Një tjetër investim ishte ai i mbrëmjes, i rrugës nacionale Bashki Kamëz - Ura e Tapizës me vlerë 361.570.716 lekë.