E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia i beson Limajt

Pas prononcimeve të udhëheqësve më të lartë partiakë rreth “rastit Limaj”, të mërkurën ka reaguar edhe Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ky organ i partisë më të madhe në vend, pas një mbledhjeje ka lëshuar një deklaratë për media, përmes të cilës ka marrë në mbrojtje Fatmir Limajn, ministria e të cilit u bastis nga policë dhe hetues të EULEX’it para dy javë ditësh.

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili është edhe kryetar i PDK’së dhe Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i saj, kishin reaguar me ashpërsi ndaj operacionit të EULEX’it, ndërsa kishin lavdëruar deklaratat e Ministrit Limaj për bashkëpunim me organet e hetuesisë.

Ndërsa Këshilli Drejtues i PDK’së thekson se është i bindur në pastërtinë e Ministrit të Transportit.

Limaj mban postin e nënkryetarit të PDK’së dhe vlerësohet si njëri ndër njerëzit më me ndikim të saj.

“PDK’ja dhe qytetarët e Kosovës kanë pasur besim në pastërtinë e tij, dje në Hagë, e po ashtu edhe sot besojmë plotësisht dhe e mbështesim Fatmir Limajn”, thuhet në deklaratën e Këshillit Drejtues të PDK’së.

“Të njëjtën besojmë që do ta vërtetojë edhe drejtësia, e cila duhet të lirohet nga çdo ndikim e ndërhyrje politike”, vazhdon deklarata.

EULEX’i tashmë ka bërë të ditur se është duke hetuar Ministrin Limaj dhe Nexhat Krasniqin, shef i prokurimit në MTPT, për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim dhe ryshfet.

Për këto vepra, sipas ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të EULEX’it, Johannes Van Vreejsweek, bazuar në ligjet e Kosovës, dënimi mund të shkojë deri në 55 vjet.

Por PDK’ja dhe udhëheqës të saj vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit kanë nxjerrë Ministrin e Transportit si më të suksesshmin në Qeverinë Thaçi.
Të njëjtën e ka bërë edhe Këshilli Drejtues i kësaj partie, të mërkurën.
“Ministri Limaj ka bërë punë të mëdha jo vetëm në infrastrukturën rrugore, për çka është mbështetur nga opinioni i gjerë”, thuhet në deklaratë.

Reagimet e krerëve të PDK’së, pas rastit Limaj, ndaj EULEX’it, pothuaj kanë qenë konfrontuese.

PDK’ja sërish ka kërkuar nga EULEX’i që të mos bëjë “ndjekje politike” si dhe që ky rast mos të politizohet.

“Këshilli Drejtues dhe Kryesia e PDK’së kërkojnë nga EULEX’i të ushtrojë përgjegjësitë e kompetencat që ka me Kushtetutë dhe ligje për vendosjen e rendit e të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ne jemi për sundimin e ligjit, por nuk jemi për ndjekje politike, e as për politizim të këtij procesi”.

Në deklaratë po ashtu thuhet se PDK’ja mbetet e përkushtuar në sundimin e ligjit.

“Partia Demokratike e Kosovës që nga fillimi ka qenë e përkushtuar për të forcuar shtetin ligjor, me qëllim që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh pozitën shoqërore, politike dhe institucionale, nuk mund të jenë mbi ligjin, as kundër sundimit të ligjit”.

Po ashtu, ky organ i PDK’së ka theksuar se “Partia Demokratike e Kosovës është e bindur që gjatë kësaj legjislature ka qeverisur me legjitimitet të plotë, duke hapur perspektiva të reja për Kosovën dhe qytetarët e saj.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›