E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kullot e kritiko

Partia e Nexhat Dacit ka reaguar ndaj deklaratave të disa zyrtarëve të LDK’së për prishjen e koalicionit me PDK’në, duke i quajtur si mashtrim dhe manipulim të qytetarëve të Kosovës.

Reagimi i LDD’së erdhi pas qëndrimit të Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa se LDK’ja duhet të shkurorëzohet nga bashkëqeverisja me PDK’në e Hashim Thaçit.

Deklaratat e Mustafës nuk gjetën përkrahjen e Shefit të Shtetit dhe Kryetarit të ngrirë të LDK’së, Fatmir Sejdiu.

Situata e krijuar brenda partisë së dytë është shfrytëzuar nga Lidhja Demokratike e Dardanisë për të nxjerrë konstatime se LDK’ja po vazhdon me lojën sikur në fushatën zgjedhore, duke luajtur lojën e dyfishtë në raport me Qeverinë.

Në një konferencë për media, Sekretari i Përgjithshëm i LDD’së, Sejdë Tolaj ka goditur zyrtarët e LDK’së për mosqëndrueshmëri në qëndrimet e tyre karshi koalicionit qeveritar.

Ai ka bërë një krahasim, jo të zakonshëm, për qëndrimet kontradiktore të zyrtarëve të LDK’së për Qeverinë dhe koalicionin me PDK’në.

“Pra, në njërën anë e kullosin Qeverinë, e në anën tjetër me lejen e PDK’së, dalin dhe e kritikojnë Qeverinë”, ka thënë Tolaj.

Ndaj këtij konstatimi kanë reaguar zyrtarët e LDK’së.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Ismet Beqiri, konsideron se deklaratat e zyrtarëve të LDD’së janë frustrime momentale.

“Nuk do të doja të komentoj çka thonë të tjerët. Është problem i atyre që shprehen asisoj. Ndonjëherë mundohem me i kuptu disa njerëz që kanë frustrime, qoftë edhe momentale”, ka thënë Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së LDK’së.

“LDK’ja e ka programin vet dhe angazhimet e veta dhe nuk merret me të tjerët. Nuk do të thotë se LDK’ja pse është pjesë e Qeverisë, nuk duhet t’i kritikojë dukuritë negative”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, zyrtarët e LDD’së kanë shkuar edhe më larg duke thënë se deklarimet kontradiktore të zyrtarëve të LDK’së duhet të ndiqen edhe penalisht.
“Tendencën për mashtrim dhe manipulim e vlerësojmë krim dhe vepër penale”, ka akuzuar Tolaj.

Zyrtarët e LDD’së i kanë dhënë mbështetje EULEX’it në misionin e tij për luftimin e korrupsionit në vend. LDD’ja uron që çdo rast i dyshuar të hetohet deri në fund”, ka thënë Tolaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›