E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha- Zdrojevski Shqiperia mjaft perparime gjate viteve te fundit

Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, Bogdan Zdrojevski.

Pasi i uroi mirëseardhjen ministrit polak, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi vizitën e Zdrojevskit në Shqipëri si një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri i shprehu ministrit polak falënderimet për mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë polake, si në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në proceset transformuese të vendit, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, Ministri u Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë theksoi se Polonia ka qenë një mbështetëse në anëtarësimit e Shqipërisë në NATO dhe se do të vazhdojë ta përkrahë dhe mbështesë fuqimisht atë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Ai theksoi se Polonia inkurajon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe se në këtë kontekst, Shqipëria është në rrugën e duhur.

Ai vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit, duke nënvizuar se ndryshimet në shumë fusha si, infrastrukturën rrugore, në fushën e ekonomisë, turizmit, kulturës etj., janë kolosale dhe të dukshme.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në atë kulturor dhe të turizmit, ministri polak i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e arkeologjisë mes dy vendeve, si dhe garantoi angazhimin e qeverisë polake për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë.

Në këtë kontekst, ai theksoi se edhe prania e më shumë se 200 operatorëve turistikë polak në Shqipëri është shprehje e interesit në rritje që Polonia ka për vendin tonë.

Gjithashtu, edhe Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë e pranisë së më shumë se 200 operatorëve turistikë polakë në Shqipëri si një inkurajim për rritjen e fluksit te turistëve nga ky vend, në Shqipëri.

Kryeministri Berisha i përcolli ministrit Zdrojevski urimet për Kryeministrit e Polonisë Donald Tusk,me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë post.

Duke theksuar se kjo fitore është tërësisht e merituar, ai nënvizoi se qytetarët polakë vlerësuan reformat që qeveria polake, nën drejtimin e Kryeministrit Tusk, ka ndërmarrë në këto kohë të vështira për Evropën dhe mbarë botën.

Ai gjithashtu i përcolli atij ftesën për Kryeministrin Donald Tusk dhe Presidentin Bronislav Komorovski, për të vizituar Shqipërinë, një vend mik, në një kohë të përshtatshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›