E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis prishja e ndertimeve pa leje ne plazhin e Velipojes

Komuna e Velipojës në Shkodër, e cila administron plazhin e Velipojës, ka hartuar një listë me rreth 100 objekte të ndërtuara pa leje në territorin e plazhit, ndërsa këtë fundjave nisi aksionin për prishjen e tyre.

Sipas kreut të kësaj komune, Pashko Ujka, objektet ishin evidentuar disa muaj më parë, por prishja e tyre u shty për të mos ndikuar negativisht në ecurinë e sezonit turistik veror, i cili këtë sezon ka qënë shumë i suksesshëm.

Aksioni dy ditor i zhvilluar këtë fundjavë, ka regjistruar rreth 43 objekte të shëmbura nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në bashkëpunim me komunën e Velipojës, të cilat figuronin të ndërtuara pa leje në brezin e rërës së bregdetit velipojak.

Ujka shton se aksioni për prishjen e objekteve pa leje në bregdetin e Velipojës do të vazhdojë gjatë ditëve të ardhshme.

Sipas tij, pasi të ketë përfunduar prishja të gjitha objekteve pa leje në brezin e rërës, komuna do të vazhdojë aksionin edhe të objekteve të tjera të ndërtuara pa leje vitet e mëparshme, të cilat gjenden në brendësi të territorit të plazhit, ku fillimisht do të procedohet me ato që bëhen pengese për zbatimin e projekteve për përmirësimin e infrastructures.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›