E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “shmang” Oketën, ne prokurori Spahiun

28/02/2012  Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, kryeministri asnjë fjalë për deputetin

Berisha akuzon Ramën se po bllokon reformat. “Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët!”

Kryeministri Berisha ka shmangur komentet për largimin e deputetit të tij Gazmend Oketa nga partia për t’iu bashkuar partisë më të re që pritet të shpallet në muajin mars, atë të Presidentit Bamir Topi. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së kreu i kësaj partie nuk e ka përmendur këtë çështje as gjatë fjalës para deputetëve e sipas burime nga mbledhja as në pjesën e zhvilluar me dyer të mbyllura. Sipas këtyre burimeve, kreu i qeverisë nuk e ka përmendur në mënyrë absolute çështjen “Oketa”, ashtu siç pritej në fakt nga shumë deputetë të PD-së apo dhe përfaqësues të medies. Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal te situata aktuale në vend si dhe te reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore.

Reformat

Amendimet e opozitës për realizimin e reformës parlamentare Berisha i cilësoi qesharake. Sipas tij, ato marrin shkas nga ambicia e Ramës për t’u bërë kryeministër. “Me urdhër të tij direkt reforma e Rregullores së parlamentit u bllokua që në mbledhjen e parë. Zoti Rama, duke perceptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndër mend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, nuk e kanë ndër mend, atëherë mendon se zgjidhja është t’i shkurtojë kohën kryeministrit. Kjo është qesharake!” - tha Kryeministri në fjalën e tij. Sa u takon amendamenteve për reformën zgjedhore, kreu i qeverisë, referuar natyrës së tyre, tha se ato e kanë zanafillën tek urrejtja e kreu të PS-së ndaj komisionerëve që i vulosën humbjen, humbje të cilën Rama, sipas Berishës, do ta marrë edhe më 2013-n. “Gjer tani kanë propozime, vetëm dënime, dënime, dënime, dënime. Pa diskutim që duhet të ketë penalitete, por të mendosh të vësh dënime 7 e 8 vjet, nuk gjen gjykatës. Se dhe gjykatësi nuk dënon aty kur shikon se ligjvënësi shkruan marrëzira në ligj. Por si mund ta dënosh tjetrin për një fletë votimi me 8 vjet burg?! Pse e bën këtë? E bën këtë në një akt urrejtje dhe mosbesimi ndaj atyre komisionerëve që me ndershmëri të plotë, në zbatim të plotë të ligjit, pavarësisht nga përkatësia partiake, firmosën disfatat e njëpasnjëshme të tij partiake”, - vijoi Kryeministri.

Gatishmëria

Kreu i selisë rozë, Rama, u riakuzua nga kreu i ekzekutivit për bllokim të reformave në vend, duke e bërë në këtë mënyrë personazhin e duhur për veprat e Faik Konicës. “Gjeja më absurde i bllokon reformat, sepse ka frikë se mos merret një vlerësim pozitiv për statusin. Unë jua kam thënë të mënyrë të përsëritur atë që thotë Faik Konica: ‘Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët!’ Faik Konica s’ka pasur kurrë parasysh popullin shqiptar. Jo, absolutisht! Ka pasur parasysh individë të tillë”, - deklaroi numri një i qeverisë. Në mbyllje të fjalës së tij Berisha garantoi gatishmërinë e mazhorancës që kryeson për zbatimin pikë për pikë të përcaktimeve të ODIHR-it. “Jemi të hapur të bashkëpunojmë brenda parimeve dhe ligjeve të këtij vendi me opozitën në interesin më të mirë. Koncepti i tyre se i votuan ligjet për ne, koncepti i tyre se këto i bëjnë për Sali Berishën, është koncept shumë i vjetër”, - përfundoi Kryeministri.

Publikohet raporti hetimor. Nënkryetari i KLD-së ka abuzuar me detyrën

PD i kërkon Prokurorisë ndjekje penale për Kreshnik Spahiun

Herion Mesi

Mazhoranca kërkon nisjen e procedurave për ndjekje penale ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiut. Komisoni parlamentar Hetimor i ngritur për hetimin e veprimtarisë së zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu publikoi dje raportin përfundimtar për shkarkimin e ish-numrit dy të KLD-së. Kreu i komisionit, Enkelejd Alibeaj, bëri me dije se të enjten komisioni do t’i propozojë Kuvendit që të vendosë dërgimin e raportit përfundimtar Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për ushtrimin e ndjekjes penale. Në konkluzionet e hetimit të komisionit, të pasqyruara në raportin e djeshëm, i cili është bojkotuar nga opozita, komisioni do t’i propozojë seancës plenare të Kuvendit më 1 mars shkarkimin e Kreshnik Spahiut, ndonëse ky i fundit ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Por në analizën e tij komisioni vëren se “deri më sot pranë tij apo Kuvendit nuk është paraqitur akti i heqjes dorë nga detyra e anëtarit të KLD-së prej zotit Spahiu, i deklaruar në medie apo dhe akti i paraqitur në KLD (nëse është i vërtetë) nuk ka respektuar procedurën formale të paraqitjes dhe depozitimit. Bëhet fjalë këtu vetëm për heqjen dorë nga cilësia e anëtarit të KLD-së dhe jo për cilësinë e zëvendëskryetarit”, – thuhet në raportin përfundimtar të komisionit. Sipas mazhorancës, “akti i dorëheqjes, edhe sikur të kishte respektuar procedurën, pra të depozitohej në Kuvend dhe të shqyrtohet prej tij, do të mund të shkaktonte mbarimin e mandatit të parakohshëm të anëtarit, por e detyron anëtarin e dorëhequr të vazhdojë të qëndrojë në detyrën e tij deri në emërimin e anëtarit të ri”. Pra, praktikisht zoti Spahiu është ende në detyrë si anëtar i KLD-së. “Vetëm ndërprerja e mandatit nëpërmjet shkarkimit për shkak të papajtueshmërisë së veprimtarisë së tij me funksionin e anëtarit e ndërpret mandatin e anëtarit të KLD-së në mënyrë të menjëhershme”, - tha dje Alibeaj.

Censusi (3)

Sipas raportit, Spahiu ka trajtuar me negativitet çështjen e censusit. Ajo çfarë zëvendëskryetari i KLD-së tejkaloi gjatë trajtimit në publik me qëllim anatemimin e procesit të censusit ishte se ai përdori mjete aspak demokratike për të arritur një qëllim kaq të shenjtë të demokracisë.

Rendimenti i ulët (3)

Spahiu është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur në funksion të axhendës politike, pa njoftim të organeve kushtetuese me të cilat lidhet ushtrimi i detyrës së tij. Kjo ka zvogëluar ndjeshëm kohën që ky funksionar duhej t’i dedikonte ushtrimit të detyrës kushtetuese të tij.

Kombësia (4)

Spahiu ka devijuar nga institucioni kushtetues dhe ka tentuar të cenojë marrëdhëniet me fqinjët për “çështjen e ndryshimit të kombësisë”. Me doza të forta populizmi dhe hipokrizie, duke ndjellë një frymë tërësisht të ndryshme nga ajo e bashkëjetesës dhe respektit reciprok, ai instrumentalizoi dhe adoptoi si pjesë të lëvizjes së vet politike edhe veprimet gjyqësore.

Shqipëria etnike (4)

Sipas raportit, Spahiu ka artikuluar edhe çështje lidhur me nocionin e Shqipërisë etnike. Por për komisionin nuk mund të lihet pa u përmendur se tashmë shteti shqiptar, sikundër edhe i gjithë rajoni e më gjerë, është përfshirë në një filozofi dhe ideologji shtetformuese tërësisht të ndryshme nga ajo që predikon zëvendëskryetari i KLD-së.

Abuzimet me fondet (7)

Gjatë vitit 2011 Spahiu rezulton të ketë kryer gjithsej 15 udhëtime jashtë shtetit. Në funksion të këtyre udhëtimeve nga buxheti i shtetit janë shpenzuar në kundërshtim me ligjin 65 % të shpenzimeve vjetore për udhëtim e dieta. Udhëtimet jashtë shtetit të përballuara me shpenzimet buxhetore paraqesin parregullsi dokumentacioni dhe tregojnë abuzim financiar me buxhetin e institucionit. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se në asnjë prej udhëtimeve të kryera jashtë shtetit nga zoti Spahiu cilësohen si udhëtime individuale të zotit Spahiu të zhvilluara në funksion të axhendës së tij personale.

Dorheqja (4)

“Sipas raportit, është synuar të shmanget kontrolli parlamentar mbi veprimtarinë e ushtruar në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit nga funksionari Spahiu. Ky akt synon të shmangë llogaridhënien dhe përgjegjësinë e zëvendëskryetarit të KLD-së përpara Kuvendit. Kjo sjellje e funksionarit kushtetues minon besimin publik te procedura e kontrollit parlamentar.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›