Berisha: 100 vjetori i Nenen Terezes, kryengjarja e vitit
TIRANE- Festimet per 100 vjetorin e Nene Terezes,shenjtores shqiptare do të shënojnë ngjarjen më të rëndësishme për kombin shqiptar. Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, në mbledhjen e Qeverisë, që të ndërmerren të gjitha masat për të nderuar gruan më të madhe të njerëzimit, Nënë Terezën, në 100 vjetorin e lindjes së saj. “ Ky është viti i Nënë Terezës. Në këtë vit gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli me misionin e saj të pushtojë zemrat e miliarda njerëve në planet dhe të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, ka 100 vjetorin e lindjes së saj". Ai kërkoi që të ngrihet një komitet i kryesuar nga ministri i Kulturës dhe i përbërë nga personalitete të të gjitha fushave për të bashkërenduar përgatitjet për nderimin e kësaj figure. Sipas kryeministrit aktivitetet për Nënë Terezën duhet të organziohen jashtë shkëlqimeve protokollare dhe të udhëhiqen nga një nder dhe mirënjohje e thellë mbarëpopullore ndaj veprës së ndritur dhe trashëgimnisë së mrekullueshme që ajo la për njeriun dhe njerëzimin. Ai kërkoi një bashkërendim të aktiviteteve së bashku me konferencën episkopale dhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm, si Kosova dhe Maqedonia. Më tej kreu i Qeverisë vuri në dukje se Shtatorja e Nënë Terezës, që ndodhet në një vend jo shumë të përshtatshëm, të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet dhe të vendoset në Sheshin që mban emrin e saj si dhe të ndërtohet një muze. "Ka një ide nga grupi i punës që të ngrihet një muze për të paraqitur jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Ndaj duhet të bashkërendohet puna me këshillin bashkiak të Tiranës dhe autoritetet vendore të kryeqytetit dhe të procedohet që hapësira mes Rektoriatit dhe Muzeut Arkeologjik të përdoret për ndërtimin e këtij muzeu", tha Kryeministri, duke kërkuar që fillimi i punimeve për ndërtimin e tij të bëhet në kuadrin e 100 vjetorit të ditëlindjes së saj. Gjithashtu Kryeministri kërkoi që të merren në mbrojtje nga Ministria e Kulturës shtëpitë në qytetin e Tiranës dhe të Shkodrës ku kanë jetuar familjarët e Nënë Terezës. (s.g/BalkanWeb)