E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE e SHBA: Rama e Berisha të zgjidhin krizën në tryezë

TIRANE-  Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada amerikane vlerësojne tryezën politike të cilën Presidenti i Republikës ka thirrur të shtunën më 13 shkurt.Në një deklaratë të publikuar sot në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se ky organizëm mirëpret nismën e kreut të shtetit për tryezën si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual."Më tej në deklaratë OSBE vlerëson reagimet pozitive të kryetarëve të dy partive kryesore në vend për të marrë pjesë në këtë tryezë dhe gjetjen e një zgjidhjeje për të kapërcyer krizën. "I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë.” - mbyllet deklarata per shtyp e zyres se OSBE-se ne Tirane.Edhe Ambasada Amerikane nepermjet nje njoftimi per shtyp te shperndare sot ne media deklaron se mbështet presidentin Topi dhe përshëndet zhvillimin e tryezës politike. Në deklaraten për shtyp ambasada amerikane shkruan se beson se “ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik.” Me tej Ambasada Amerikane i bën apel partive politike të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërcit për të vazhduar më pas në procesin Euro- Atlantik të Shqipërisë “Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqëndrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë”- mbyllet deklarata për shtyp e ambasadës amerikane në Tiranë Tryeza Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë, do të zhvillohet të shtunën më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në selinë e presidentit. Ttakimi zhvillohet në vijim të takimeve me kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan; me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse; me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, John Withers II, si dhe pas kontakteve telefonike me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndersa dje presidenti Topi zhvilloi takim dhe me ambasadorin gjerman Bochard. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh sot optimiste se bojkoti i opozitës do të marrë fund. "Bojkotit po i vjen fundi. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputetëve që nuk janë në parlament. "- tha Topalli, gjatë një konference për shtyp që mbajti sot paradite së bashku me homologun malazez Ranko Krivokapiç.Dy partitë vlerësojnë thirrjen e tryezës por vazhdojnë të mos lëshojnë pe. Kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm me të cilën do të shkojë në tryezën e së shtunës, ndërsa sot së bashku me një delegacion udhëtoi drejt Strazburgut për një sërë takimesh konsultative me përfaqësues të Partisë Socialiste Europiane. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi shprehu dje vlerësim pozitiv për thirrjen e tryezës nga kreu i shtetit, por shtoi se maxhoranca do të pranojë nga kjo tryezë vetëm zgjidhje që burojnë nga brenda kuadrit ligjor dhe rekomandimeve të rezolutës së Këshillit të Europës.  (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›