Berisha: 21 janari, sulm agresiv me dinamit, për rrëzimin e pushtetit me dhunë
Kryeministri Berisha ka rikualifikuar protestat e 21 janarit si një sulm agresiv, i drejtuar nga Edi Rama, me një bandë mercenarësh prej 200-300 persona, të zgjedhur nga bota e krimit. Ai ishte përgatitur të mbante fjalim në fund të sulmit të armatosur, por ai s’i kishte bërë llogaritë me shtetarë që qëndrojnë në zyrat e tyre dhe me institucione të cilat assesi s’mund t’u dorëzohen bandave bolshevike
Deklarata e kryeministrit: Hetimi për 21 janarin s’ka mbaruar
Duke shmangur komentet për vendimin e Gjykatës së Tiranës që çoi në lirimin e ish komandantit të gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit, Agim Llupo, kryeministri Sali Berisha tha dje se “po pret fjalën e fundit të drejtësisë për 21 janarin”. Për kreun e qeverisë, procesi ende nuk ka përfunduar. Teksa bashkëbisedonte me të rinjtë e PPE-së, Berisha u solli atyre në vëmendje se, kryetari i opozitës Edi Rama tentoi rrëzimin me dhunë të një qeverie të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. "Ata sulmuan në mënyrën më agresive ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Mbi policinë dhe Gardën e Republikës u hodhën me mijëra e mijëra tulla, gurë, hunj, por dhe dinamit. Natyrisht, unë isha në zyrë. Ai mendoi se unë do të largohesha nga zyra, por unë jam njeri i detyrës dhe nuk kisha motiv që të largohesha. Ajo ishte një ditë e zakonshme pune për mua dhe nuk kisha ndërmend që t’i lëshoja zyrën. Pati katër viktima. Ishte një përpjekje për të përmbysur me dhunë një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira. Dështoi! Një proces hetimor është në vazhdim. Kërkova që drejtësia të thotë fjalën e saj për të gjitha aspektet e këtij akti të shëmtuar. Ne po presim”- deklaroi kryeministri.
“Pas zgjedhjeve drejt referendumit për votimin e 3 ligjeve”
Bllokimi i radhës i integrimit- deklaroi kryeministri - është mos votimi i tre ligjeve që kërkon komisioni Europian, për çka sipas tij, pas zgjedhjeve parlamentare do të vendoset me referendum popullor. “Problemi tjetër, pasi e bllokoi më këto akte, është se tani kërkohet votimi i tre ligjeve, të cilat janë të gatshme, janë në Parlament, për të cilat ra dakord pikë për pikë dhe tani është tërhequr. Ai është tërhequr, sepse do t’i vendosë një mur qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. Ky zotëri ishte dhe kundër heqjes së vizave. A mund të imagjinoni ju një njeri që shpërndante e-maile nëpër Europë, ku thoshte se po hoqët vizat për Shqipërinë, 1 milionë shqiptarë do të dynden drejt jush. Natyrisht, partnerët tanë hoqën vizat dhe unë kam kënaqësi t’ju informoj juve se shqiptarët nga Shqipëria janë numri pakrahasimisht më i vogël i azilkërkuesve nga të gjithë vendet e tjera. Në këto kushte ne po shkojmë, pas zgjedhjeve, drejt një referendumi. Dhe referendumi do të jetë për këto tre ligje që bllokon zotëria, i cili për merita të bllokimit të këtyre tre ligjeve dhe për gjeografi u zgjodh nënkryetar i Internacionales Socialiste. Ju jeni udhëheqës të rinj, por unë ju them se kjo Internacionale herë pas herë shndërrohet sikur të ishte një repart i Komintern-it. Erdhën një herë dhe bënë një mbledhje në Tiranë. Lëshuan një deklaratë kundër meje, e cila ngjante totalisht me terminologjinë që përdorte Komintern-i kundër borgjezisë. Natyrisht, këto nuk më bëjnë përshtypje mua”- tha ai.
Të sigurt në fitoren e 23 qershorit – Rama s’njeh rezultatet që i japin humbjen
Mazhoranca është e sigurt që do të fitojë më 23 qershor dhe po aq e sigurt që kryetari i opozitës sërish do të kontestojë zgjedhjet. “Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve. Ne e kemi ndryshuar Shqipërinë, por ne nuk kërkojmë vota se kemi ndryshuar Shqipërinë, kërkojmë vota se do ta ndryshojmë më shumë Shqipërinë. Ndërkohë, Rama pas çdo disfatë elektorale deklaron se më vodhën votën, problemi është ndryshe. Ne kemi sistemin me transparent të numërimit të votave dhe kjo i ka shpëtuar zgjedhjet tona. Sistemi ynë i numërimit është shpëtimtar kur ka persona që nuk duan të pranojnë votën. Ky sistem i saktë ka bërë që çdo lloj pretendimi të faktohet nul, i pavlerë. Zgjedhjet që vijnë do jenë të rregullta, dhe natyrisht Rama nuk do njohë rezultatin sepse ai nuk njeh asnjë rezultat që i jep humbjen atij. Ne kemi një program ambicioz, agresiv. Gjatë këtyre javëve unë kam shpallur paktën e re të reformave për mandatin e ardhshëm, e cila bazohet, mbi të gjitha, në lirinë ekonomike dhe fiskale. Ne kemi hequr tërësisht taksën mbi kapitalin, po heqim çdo lloj takse nga importet e outputeve dhe makinerive bujqësore që u duhen fermerëve, do të heqim çdo taksë sociale për të gjithë sipërmarrësit që do të punësojnë të rinjtë, për çdo të ri për 3 vjet rresht do t’i paguajë qeveria. Do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, do të bëjmë gjithçka për nxitjen e rritjes ekonomike, e cila në këto vite krize ka qenë 4 herë më e lartë sesa mesatarja e rajonit, sipas Komisionit Evropian. Shqiptarët kanë nevojë për rritje më të madhe ekonomike. Dhe ja pse ne po shpallim çdo ditë reformat të reja, në mënyrë që t’i japim një shtytje të fuqishme rritjes në katër vitet që vijnë”- vijoi kryeministri.
...