E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca ka dhënë vizion për qeverisje, opozita bllokoi integrimin

10-02-2013 / Gazeta 55

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu thotë se politika e qeverisë është gjithmonë interesi i qytetarëve

Kryetari i Partisë Republikës dhe njëherësh ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu deklaron gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, se qeverisja 8 vjeçare e Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë, është e suksesshme. Ai e vë theksin te kursi reformator në zhvillimin ekonomik dhe mbajtjen e Shqipërisë larg ndikimit të krizës globale si dhe procesi i integrimit në BE. Kreu i PR-së, partner i demokratëve në qeverisje, deklaron se politika e mazhorancës është interesi i qytetarëve, ndërsa ai i opozitës anatemimi pafund i problematikës dhe ngritja e barrierave kundër integrimit europian. “Qeveria e kryesuar nga z.Berisha ka patur suksese këto 8 vite, veçanërisht në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit, në një kohë kur vendet rreth e rrotull, janë në një krizë të madhe ekonomike. Padyshim që të gjithë ne mund të jemi të pakënaqur sepse tentojmë shumë herë më tepër, por mendoj se qeveria ka patur vizionin për të avancuar Shqipërinë drejt të ardhmes europiane dhe për të dhënë standarde të mira jetese për qytetarët shqiptarë, jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe kushtet e tyre të jetesës. Pa neglizhuar këtu problematikën ekonomike të cilën duhet ta trajtojmë me një vëmendje të madhe jashtë ndasive politike. Politikat tona kanë tentuar gjithmonë në interes të qytetarëve. Ka më shumë për të bërë? Sigurisht që ka, por tani për tani në Shqipëri e vetmja forcë politike, është kjo mazhorancë që ka dhënë vizion për qeverisje. Ndërsa vizioni i opozitës ka qenë anatemimi pafund i problematikës, madje frenimi i procesit të integrimit evropian që ka qenë interesi i madh i qytetarëve, pavarësisht se kanë qenë socialistë, apo demokratë”- tha Mediu.
Ish ministri i Mbrojtjes flet dhe për çështjen e “Gërdecit”, për të cilën thotë se nuk është hetuar drejt. “Nuk është çështje e mbyllur si dhe nuk është çështje e hetuar drejt. Nuk besoj se ka pasur një hetim të drejtë të kësaj çështje. Në pozicionin tim si ministër Mjedisi, unë besoj se kam marrë të gjitha përgjegjësitë e mia morale. Kam pranuar çdo verdikt të gjykatës pa i diskutuar ato sepse besoj se ky duhet të jetë pozicioni i çdo qytetari shqiptar që të mos hyjë në vendime dhe diskutime të gjykatave. Gjykata ka vepruar sipas atyre kushteve që i ka dhënë ligji. Ajo që unë besoj duhet të jetë e rëndësishme, të jepet drejtësia, por edhe të dalë e vërteta deri në fund”- thotë ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›