E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Aliyev: Privatizimi i Albpetrol-it dhe gazsjellësi TAP, dy faktorët strategjikë për një bashkëpunim të suksesshëm mes dy vendeve

09-02-2012 / Gazeta 55

Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Azerbajxhan, Berisha takohet në Baku me Presidentin azer, Ilham Aliyev


Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, në hapje të takimeve zyrtare në Baku, u takua me Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, z. Ilham Aliyev në rezidencën e tij. Presidenti Aliyev i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha në vizitën e tij të parë zyrtare. Ai theksoi se marrëdhëniet mes të dy vendeve do të forcoheshin ndjeshëm në sajë të kësaj vizite dhe se ishte koha për t’i zgjeruar ato në të gjitha drejtimet. Presidenti Aliyev vuri theksin tek zhvillimet në fushën e energjisë, investimet, sigurinë, bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Azerbajxhanit, për postin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit. Kryeministri Berisha çmoi marrëdhëniet miqësore dypalëshe dhe vuri në pah aspektet e ndryshme që të dy vendet ndanin së bashku në aspiratat për zhvillim dhe demokratizim. Ai theksoi se fryma miqësore e marrëdhënieve politike dhe pozicioni gjeopolitik i të dy vendeve janë faktorë themelorë për një bashkëpunim të frytshëm dhe se kjo vizitë shënon një kapitull të ri në këtë drejtim. Vend të gjerë në bisedimet zyrtare morën projektet madhore energjetike me interes të përbashkët dhe investimet në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Kryeministri Berisha ftoi kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës Socar të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri. Kryeministri Berisha theksoi se projekti për gazsjellësin Trans-Adriatik, TAP, është projekti me fizibël për transmetimin e gazit azer drejt tregjeve europiane dhe me rëndësi vitale për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Presidenti Aliyev shprehu interes për mundësitë e mëdha për bashkëpunim dhe investime dhe sugjeroi që të ngrihet një komision i përbashkët ndërqeveritar që do të shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha iniciativat e këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha e falenderoi Presidentin për mikpritjen dhe e ftoi të vizitojë Shqipërinë. Në përfundim, Presidenti Aliyev shtroi një drekë për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit zyrtar qe e shoqëron.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›